Arena Kombëtare do të jetë gati pas një jave. Në impiantin me vlerë 70 milionë euro, po jepet dora e fundit e punimeve, ndërsa është ndryshuar vendi i kamerave dhe i gazetarëve. Është ende i rrethuar nga pluhuri dhe rrënoja, por të betohen se do jetë gati në kohë.
Kjo është Arena Kombëtare, ende pa emër sponsori, pa asfaltin në rrugët rreth saj, edhe pse me fasadën tashmë të përfunduar. Vonesat për shkak të parkimeve kuturu të qytetarëve tashmë janë harruar, por ka të tjera sa për t’i shqetësuar ata që punojnë aty.
Probleme të paparashikuara ka plot, kabllo nëntokësorë apo tubacione, si dhe zvarritje për shkak të bashkëpunimit të çalë mes UKT-në apo OSSHE-në. Gjithsesi, sa më shumë afron 17 nëntori, aq më shumë gjendja kthjellohet.
Për fat, në brendësi syri nis të ndihet më mirë. Fusha thuajse e përfunduar, po ashtu tribunat dhe ulëset e kuqe të vendosura, ndoshta 99 për qind. Ndriçimi LED është gati, i testuar disa herë, po ashtu gati kamerat e sigurisë dhe bokset e fonisë.
Ngjitemi në katet e sipërm të tribunës VIP. Në katin e parë do të vendosen gazetarët në krahun e majtë, pas këshillimit me UEFA-n. Kamerat do të zhvendosen një kat më lart, sërish me porosi nga Europa.
Komoditeti i VIP-it bën kontrast me tribunat e tjera, ashtu si edhe çmimi i biletave, pasi do të jetë 4 deri në 10 herë më i lartë. Në katin e parë është ruajtur diçka nga “Qemal Stafa” i vjetër, pikërisht një rresht ku do të vendosen ulëse për njerëz VIP, siç ishte edhe atëherë.
Në këtë kat, do të jenë bari dhe restoranti, ku mbetet vetëm të përfundohet tavani me ndriçimin. Instalimet janë të futura të gjitha në dysheme. Në katin e dytë është një tjetër restorant, të cilit i është përfunduar shtrimi i dyshemesë me vinil.
Në pjesën anësore, poshtë pllakave, janë kanalet për kabllot televizive. Në një hapësirë në mur pritet të vendosen hidrantët dhe zorra për shuarjen e zjarrit. Llozhat private do të jenë maksimumi i komoditetit dhe pritet të jepen me qira vjetore prej 25 000 eurosh.
Ato do të kenë edhe nga 6 ulëse si kolltukë në pjesën e jashtme. Sistemi i kamerave të sigurisë thuhet se është me rezolucion të lartë dhe lente cilësore, për të zmadhuar pamjet, dhe për të individualizuar tifozët problematikë.
Ndriçimi ndodhet fare pranë vendit ku do të jenë kamerat, por është bërë provë që nuk ndikon për të penguar. Ja edhe salla e punës e gazetarëve, që do të kenë tavolina dhe karrige, si dhe televizorë të futur në mur, do të ketë edhe banjo për ta.
Këtu jemi në katin më të lartë, ku gjithashtu do të ketë vende për gazetarë. Kjo është salla e kontrollit, dhe ngjitur me të edhe salla e serverëve për lidhjen e kompjuterëve. Mund të thuhet se këtu është truri i stadiumit, si dhe syri i shqiponjës për vëzhgim.
Ashensorët janë vendosur dhe janë në gjendje pune, por mbahen të kyçur. Punëtorët, pra detyrohen të përdorin shkallët, pasi ekziston frika se ata mund t’i dëmtojnë.
Në stadium punohet me 3 turne, natë dhe ditë. Gjatë ditës janë deri në 500 punonjës apo më shumë, ndërsa natën, rreth 100. Problem më vete është zbrazja e stadiumit në rast rreziku, dhe është parashikuar që në Arenën Kombëtare kjo të bëhet për 10 minuta.
Mbikqyrësi, Samedi, që na shoqëroi e na sqaroi me shumë mirësjellje, na thotë se standardi ndërkombëtar është 8 deri në 12 minuta. Ja dhe pjesa e tribunës, e përcaktuar për tifozët miq, në pjesën jugore prapa portave.
Këtu në 17 nëntor do të vendosen francezët, kryesisht në pjesën e sipërme, por edhe poshtë, nëse do të kërkojnë më shumë se 5 për qind të biletave. Tribunat janë të ndara me mure xhami nga pjesa tjetër, edhe dalja është e veçantë.
Sheshi para stadiumit është në përfundim, ndonëse nisi vetëm pak ditë më parë. Ai po shtrohet nga një kompani tjetër, dhe besohet që për 2-3 ditë do të jetë gati. Pllakat e pjesës qendrore, me ngjyrë të kuqe, kanë ardhur nga Irani, ndërsa pllakat e bardha në dy pjesët anësore, janë nga Italia.
Problem më vete është mirëmbajtja, dhe aty mësojmë se vetëm për ta sjellë impiantin në identitet, pas një ndeshjeje të kombëtares apo pas një derbi, do të duhen 20 milionë lekë të vjetër.
Stadiumi nuk është edhe ai vogël, dhe na u desh kohë e gjatë për ta hulumtuar të gjithin. Kur mbërritëm ishte kohë me diell, ndërsa kur dolëm në fushë, erdhi koha që të ndizen dritat.
Një tjetër provë me kërkesë të zyrtarëve të Federatës. Fusha jepet gati, me thellësinë e rrënjëve të barit që po arrin atë që kërkohet. Është plehëruar, ujitur, ndërsa terreni ka diferencë lartësie prej 18 cm nga qendra deri në pjesët anësore.
Pritet të korret dhe të vijëzohet 2 ditë para ndeshjes së kontrollit, të ditës së dielë. Ndërsa ne po përfundojmë turin në stadium, aty mbërrin Arben Dervishaj, anëtari i Komitetit Ekzekutiv të Federatës, që ka ndjekur punimet që nga fillimi.
Ai flet për problemet e dala së fundi. Stadiumi ka edhe korridoret dhe dhomat e zhveshjes, plus ato të arbitrave, që gjithashtu janë gati. Në to, janë vendosur edhe mobiljet, ndaj mbahen të mbyllura me çelës.
Këtu, në katin nëntokë, do të bëhet hyrja e lojtarëve, por sidomos dalja e tyre pas ndeshjes, për në zonën Miks për intervista. Zona miks ende nuk është përfunduar, do të duhen edhe disa ditë për të.
Në pjesën nëntokësore vijnë korsitë për kalimin e autobusëve të ekipeve, ku po bëhen punimet e fundit. Aty ndodhen edhe shkallë të jashtme që të çojnë në sallën e konferencave të shtypit, që i ka muret të veshura me dru.
Në fund, nuk mund të mos na binte në sy zona historike, fasada e vjetër e Qemal Stafës, që tani është sërish në vendin e sa. Ajo u zbërthye gur më gur, çdo gur u etiketua me numra, për t’u vendosur në të njëjtin pozicion që kishin më parë.
Ky është stadiumi i ri kombëtar i futbollit në Shqipëri, një investim që ndodh një herë në disa dekada, i krahasueshëm me luksin e ministrive, ndërtuar në kohën e Zogut, apo Piramidën e Pallatin e Kongreseve të viteve 80-të./abcnews.al