Ardian Vehbiu: “Kulla e sahatit”, dëshmitarja e përdorimit të sheshit nga pushteti!

schedule23:39 - 6 Korrik, 2022

schedule 23:39 - 6 Korrik, 2022

Nga Refleksione

“Më mungon kujtimi i mbresës, i përjetimit. Dhe këtë gjë është gjithnjë e më vështirë që ta rikuperoj. Kjo është ajo pjesë e ‘Itakës’ që nuk e gjej më në qytetin tim kur kthehem. E shkuara është ajo çfarë jemi, pasi është tërësia e kujtesës që na jep identitetin!”. Kështu u shpreh gjuhëtari dhe bashkëdrejtuesi i blogut “Pejzazhe të fjalës”, Ardian Vehbiu, i ftuar në “Refleksione” në ABC.  I emigruar prej vitesh në SHBA, pasi qëndrimit për 6 vite në Itali, Vehbiu ka shpjeguar përjetimet e tij në rikthimet në vendlindjen e tij, në Tiranë, qytet me të cilin ai vijon të mbajë lidhje përmes komunikimit të rrjete sociale, përmes reagimeve në blogun ku gjithnjë ndërfut  përjetimet dhe qëndrimet e ndryshme të asaj që ndodh në Shqipëri.

Ndërkaq, Vehbiu ka rrëfyer edhe shtysën për shkrimin e librave “Kulla e Sahatit” dhe “Shqipja totalitare” dhe “Gjuha e thyer, gjuha që thyen”. Në këto libra ai është marrë me ndryshimet në semiotikën urbane dhe atë gjuhësore në diktaturë dhe me ndikimin që kanë patur dhe kanë këto ndryshime  në jetën e përditshme.  “Çdo pushtet ka artin e vet të komunikimit me qytetin. Për  ndryshimet dhe rimodelimet që i kanë ndodhur qendrës së Tiranës më ndihmonte vetëm Kulla për të ruajtur stabilitetin, pasi ajo nuk ndryshonte. Kulla  ka qenë dëshmitare e këtyre ndryshimeve, por ka qenë edhe strumbullari rreth të cilit lëvizte qyteti, por edhe njerëzit e qytetit.  Unë kam parë që vazhdimisht sheshi ndryshohej. I pari ndryshim ishte në vitin 1968, kur u hoq monumenti i Stalinit dhe u vendos ai i Skëndërbeut. Një tjetër ishte prishja e ish-komitetit ekzekutiv. Pastaj ndërtime të tjera, që nga Pallati i Kulturës, që zgjati shumë vite, Hotel Tirana, Muzeu Historik. Por edhe sheshi vetë u bë e u ribë, u gërmua, u shtruan kabllo. Ai ishte një kantier semiotik ku shkruhej dhe rishkruhej vazhdimisht ajo që ndodhte, ajo që i duhej përcjellë qytetarëve. Natyrisht në atë kohë të gjitha këto i bënte shteti, sepse qyteti vetë nuk kishte zë, domethënë nuk kishte zë publik. Atëherë ndodhi kjo që shteti mori epërsi ndaj qytetit, e mbyti qytetin dhe përmes rishkrimit të simboleve vendosi pushtetin e vet. Madje, pak e nga pak pushteti ia hoqi krejt zërin, sa nuk dallohej më ai zë i krijimit të qytetit, i kohëve të ndryshme. Ndaj Kulla ishte një mënyrë e reagimit tim për historinë”, ka rrëfyer  Vehbiu në “Refleksione”.

Sipas tij, pushteti ka dashur gjithnjë ta përdorë qendrën e Tiranës për qëllimet  e veta dhe se tek qytetarët përjetohet çdo ndryshim që ndodh. “Mua më bën përshtypje kur vij në Tiranë kur shoh se si sheshi është kthyer në një qëndër dëfrimi. Unë nuk e kam pritur. E pranoj që më ka habitur. Por ka shumë njerëz që shkojnë, që e shijojnë. Dhe kam menduar se kjo eksperiencë më bën të kuptoj se do kem gjithnjë e më pak të përbashkëta me qytetarin që kam njohur. Unë jam i interesuar për vijueshmërinë urbane dhe kulturore dhe dua që me një tiranas të kem gjëra të përbashkëta për të biseduar. Por kur shoh këtë ndryshim nis të dyshoj se mos unë po dal nga skena, dhe po krijohet një Tiranë tjetër, me të cilën unë nuk komunikoj dot lehtë. Kjo më trishton”, tha Vehbiu në “Refleksione”. Ai tha se, nëse do e rishkruante “Kullën e Sahatit” do theksonte tashmë faktin se “Kulla” po fshihet, sa duket se qyteti nuk po rrotullohet më rreth saj, si dikur. “Ndoshta një brez tjetër do ta ketë normale ta shohë kullën me pamjen e sotme krejt normale . Por mua më duket e poshtëruar. Nuk e  di, se si do ta shohë, se si do ta shpjegojë brezi që po vjen”, tha Vehbiu. Bashkë me semiotikën e qytetit Vehbiu ka shpjeguar edhe këndvështrimin e tij mbi atë që ka ndodhur edhe me ligjërimin. Sipas tij, politika dhe shteti veprojnë mbi ligjërimin publik për të ndikuar mbi qytetarët, mbi shtetasit, për mënyrën se si flasin, se si shkruajnë dhe për më tepër se si mendojnë.  “Jam foksuar në kohën e regjimit totalitar ku kontrolli i gjuhës së individit nga shteti ishte total. Unë jam nisur nga premisa se gjuha na flet, na bën të jemi këto që jemi, na jep identitet.  Na jep aftësinë për të thënë  Unë, për të thënë Ti, dhe krijon atë mjedis social ku komunikojmë. Dhe e bën këtë duke na dhënë disa instrumente që ne i përdorim për artikulim në fjalë dhe në mendim. Regjimet, veçanërisht regjimet totalitare, e kanë përdorur këtë veçori të gjuhës për të manipluar mendimin  duke nisur nga bangat e shkollës e me pas nga propaganda, nga filmat, arti, librat. Pra, na kanë ushqyer me parafabrikate, për të kontrolluar mendimin.  Regjimi nuk është se e shurdhon fjalën e lirë, por e bën të pamundur, pasi nuk ka më instrumentet për fjalën e lirë”, tha Vehbiu. Ai ka kujtuar se shumë nga lidhjet e tij me të shkuarën i ka formësuar edhe përmes dy personazheve të librave të tij, Maks Gjerazi dhe Zoti Shyti.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!