Dhuna u rikthye sërish në futbollin shqiptar. Dueli i Kategorisë së Parë midis Devollit dhe Turbinës shkaktoi probleme të shumta, ofendime dhe tension. Trajneri i portierëve, Bledar Malaj ra pre e dhunës së vendasve, teksa përplasja vijoi edhe mes lojtarëve në fushë.
Besnik Beshku, drejtor i përgjithshëm i Turbinës, reagon për ABC News dhe tregon versionin e tij, duke mos i kursyer akuzat për kryetarin e Bashkisë Bilisht dhe presidentin e klubit të Devollit.
“Si drejtor i skuadrës jam lemerisur në atë ambient primitiv i dal mode tashmë në futbollin tonë të modernizuar dhe zhvilluar, pavarësisht se disa arena boksi si stadiumi i djeshëm duan ta prishin imazhin.
Për më tepër, jemi dhunuar edhe në shkallët e stadiumit. Kërkuam nga kryetari Bashkisë dhe presidenti i Devollit të na mbështesnin dhe të vinin qetësinë, por siç duket po i tregonim ujqërve ku kullosnin delet!
Në rruge zyrtare, ju siguroj se do të kërkojmë të drejtën tonë, ligjërisht, avokatët po merren me këtë gjë dhe ne si staf jemi të gatshëm për instancat përkatëse në FSHF për të deponuar gjithçka ka ndodhur.
Aty nuk bëhej fjalë për futboll, dhunë nga toka, dhunë në tribunë, dhunë nga qielli me sendet që fluturonin mbi kokën e lojtarëve tanë. Mos flasim pastaj për ndërhyrjet horror dhe arbitrimin anemik te arbitrit Mikele Dyrmishi, i cili duhet angazhuar në artet marciale dhe jo në futboll”, thekson zyrtari i klubit nga Cërriku. /abcnews.al