“Arbitrin e zinte gjumi në fushë, ja pse në Bilisht duhej ndalur loja”

schedule10:57 - 2 Shkurt, 2020

schedule 10:57 - 2 Shkurt, 2020

Devolli-Turbina ka qenë një ndeshje shumë e tensionuar një ditë më parë dhe në Cërrik e kanë ndarë mendjen dhe do të kërkojnë tre pikët në tavolinë. Klubi i Kategorisë së Parë do të bëjë kërkesën në FSHF dhe do të paraqesë edhe pamjet filmike të asaj që ka ndodhur në Bilisht një ditë më parë. Në lidhje me këtë situatë e ka mbajtur një qëndrim edhe presidenti i Turbinës, Gentian Gjoka.

“Të nderuar sportdashës shqiptar dhe veçanërisht ata cërrikas, në këtë moment, kur jemi njohur me pamjet filmike të ‘Masakrës së Devollit’, nuk duhet të humbasim durimin, apo të nervozohemi. Ftoj të gjithë stafin, lojtarët dhe sidomos tifozët tanë, të ruajnë gjakftohtësinë. Gjërat nuk zgjidhen me anë të dhunës, ashtu sicc bënë ‘mikpritësit’ tanë.

Ne do t’i drejtohemi ditën e hënë organeve kompetente pranë FSHF-së, duke ndjekur çdo rrugë ligjore për të kërkuar 3 pikët në tavolinë, sepse ndeshja është vazhduar nga ana jonë si pasojë e moskokëçarjes nga ana e delegatit dhe vëzhguesit, që ndodheshin të ngarkuar me detyrë nga FSHF për këtë sfidë. Ata automatikisht duhet të ndalnin lojën, jo vetëm për dhunën në fushë dhe në tribuna ndaj pjesëtarëve të KF Turbinës, por edhe për sharjet në kor që i përmban rregullorja.

Avokatët e klubit tonë kanë nisur punën që të shtunën në mbrëmje dhe po përgatitin një dosje voluminoze, që do të depozitohet pranë zyrave të FSHF-së, e plotë, me fakte bazuar në Kodin Sportiv dhe gjithashtu e mbështetur nga pamjet filmike, prova të pakundërshtueshme që ne besojmë se do të na japin të drejtën që na takon.

Devolli dhe shumë skuadra të tjera janë pritur si miq në Cerrik dhe si të tillë do të priten gjithmonë. KF Turbina nuk e ka patur dhe s’do ta ketë kurrë si opsion dhunën dhe elementë të tjerë shtrëngues për të arritur fitoren ndaj kundërshtarit. Gjithashtu, dosja jonë padyshim që do të ndalet edhe tek arbitri Mikele Dyrmishi, të cilin shpesh-herë e ka zënë gjumi gjatë 90-minutëshit të sfidës dhe faktet tona do t’i shërbejnë për t’u rizgjuar”, shprehet Gjoka. /abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!