Ish ministri i Financave Arben Malaj, këtë të mërkurë në një intervistë për Abc e Mëngjesit ka komentuar lëvizjen më të fundit të qeverisë në lidhje me amnistinë fiskale.
Malaj në fjalën e tij ka theksuar se në kushtet që ndodhet vendi pas pandemisë dhe tërmetit, fokusi te amnistia nuk do na e ndihmojë vendin që të dalë nga kriza.
Sipas tij tashmë kemi një shifër të lartë në lidhje me rënien ekonomike në vendin tonë që e kalon dhe atë të raportit të BERZH.
“Mbi të gjitha duhet të theksoj se reduktimi i ekonomisë informate dhe asaj kriminale janë të shëndetshme për qeverisjen dhe ekonominë e atij vendi, por rruga që ndiqet duket se nuk është e duhura. Çdo qeveri ka një fokus, ne jemi në kulmin e pandemisë dhe në kulmin e problemeve ekonomike, ku qeveria ka deklaruar se rënia ekonomike do të jetë rreth 10 % edhe më e madhe se ajo që raportoi BERZH të kesh këto probleme dhe të merresh me amnistinë është një çështje që nuk sjell asgjë të re. Ky është një ligj që synon që të marrë disa para në buxhet, nuk ndihmon në reduktimin e ekonomisë informate dhe asaj kriminale. Qeveria dhe kryeministri kanë humbur fokusin, merret me inaugurime infrastrukture në kohë kur duhet që të merret me fokusin në investimeve në shëndetësi, pasi mund të ndodhë që pandemia dhe të rikthehet”, ka thënë ish ministri.
Gjithashtu ish ministri ka theksuar se është hera e parë që tashmë qeveria nuk jep statistika reale në lidhje me nivelin ekonomik në të cilën ndodhet vendi.
Ndër të tjera ai e vë theksin edhe tek borxhi publik që thuhet se ka arritur në 80 %, por sipas tij pritet që në mungesë të të dhënave që kemi borxhi mund të jetë më i lartë.
“Është hera e parë në tranzicionin shqiptar që statistikat fiskale të vendit nuk japin statistika reale për të bërë një raport të qartë, duke filluar me të dhënat për rritjen e borxhit publik. Borxhi për shkak të dy fatkeqësive natyrore tërmeti dhe nga pandemia borxhi do të rritej. Ndërkohë autoritetet Evropiane menjëherë me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për përballimin e pandemisë në shumë vende theksuar se borxhi në shumë vende mund të rritet në lidhje me shëndetësinë por ky borxh nuk do të quhet borxh i keq”, ka thënë Malaj.