Teuta doli pa pikë nga përballja me Partizanin në “Elbasan Arena”, pasi u mposhtën 3-1 nga demat, edhe pse djemtë e detit kaluan të parët në avantazh.
Pas ndeshjes trajneri Renato Arapi ishte shumë i zhgënjyer, ndërsa nuk kurseu as arbitrin në momentin e shënimit të golit nga Skuka, ku sipas tij ishte gol i parregullt.
“Deri në momentin që pësuam golin, ekipi i Partizanit nuk kishte krijuar asnjë rast. Nëse nuk do quhej gol i rregullt ai gol, tani do të flisnim ndryshe. Forca jonë reale kjo është, do mundohemi të marrim maksimumin me këto mundësi që kemi.
Po kalojmë gjendje jo të mirë, por ndikojnë te morali edhe goditjet e arbitrave. Në pjesën e dytë nuk ishim efikas. I qëndroj mendimit që goli i Skukës ishte ‘offside’. Nuk ka rëndësi se kush e devijon topin.
Edhe sikur ta ketë prekur përsëri Lorenco, është ‘offside’. Nuk është e qëllimshme, kur është dyluftim patjetër që është offside. Ishte detyra e Grudës për topin e kthyer, ishte një moment që nuk kishim vëmendje”, deklaroi trajneri i Teutës. /f.a/abcnews.al