Teuta dështoi të merrte fitoren në rikthimin e saj në shtëpi, pasi u ndal në barazim 0-0 me Skënderbeun në “Niko Dovana”.
Një pikë që nuk i hynë shumë në punë durrsakëve, të cilët vazhdojnë të jenë afër zonës së rrezikur, pasi kanë vetëm 4 pikë më shumë se Kastrioti i vendit të 8-të, ku ky i fundit ka një ndeshje më pak.
Pas këtij takimi, trajneri Renato Arapi analizoi takimin, ndërsa do të shprehej kundër VAR në momentin e golit të anuluar që i hoqi nga duart fitoren.
“Ishte një rezultat i drejtë, edhe pse nuk e kam parë akoma momentin e golit. Kur e sheh tani duket sikur është ‘off-side’, por me këto pamje që kemi nuk e shikojmë dot aq mirë, vija mund të vihet si të duhet.
Ishim përgatitur për të fituar, por ndikon edhe ana psikologjike dhe ndjenja e mosbesimit. Duhet të jemi më të shpejtë në veprimet sulmuese dhe në pasime, akoma nuk jemi përmirësuar siç duhet.
E dinim që do kishim përballë një ekip që nuk kishte çfarë të humbiste. Një nga pikat tona më të dobëta ka qenë pësimi i golave, por nuk ishim përgatitur për t’u ruajtur dhe për të qëndruar mbrapa”, deklaroi trajneri i skuadrës durrsake. /f.a/abcnews.al