Teuta u mposht nga Kastrioti në “Loro Boriçi”, ndërsa tashmë fillon të shikojë edhe “makthet” e mbijetesës.
Kampionët në fuqi zhgënjyen në këtë përballje, ndërsa goli i krutanëve erdhi falë një gabimi të vetë mbrojtësve durrsakë.
Pas ndeshjes Renato Arapi ishte i zhgënjyer me të tijtë, ndërsa theksoi se lojtarët duhet të marrin përgjegjësi.
“Të vjen keq, aq më tepër që e gjitha erdhi si rrjedhojë e gabimeve të njëpasnjëshme. Kështu erdhi goli. U munduam të bënim ndryshime në pjesën e dytë, por nuk morëm atë që prisnim. Ndikon ana psikologjike. Kemi punuar me fazën e sulmit, por duhet më shumë këmbëngulje dhe marrje përgjegjësie.”
Lojtarët me emër: “Kemi aktivizuar edhe lojtarë të rinj për të rinovuar ekipin për vitin tjetër. Kemi cilësi brenda, por duhet të impenjohemi dhe të përqendrohemi, të marrim më shumë përgjegjësi. Kemi rregulluar pësimin e golave, por në situatë standarde nuk ka faj vetëm mbrojtja.”
Reagim i vakët: “Jam i mërzitur, sepse e ndryshuam mënyrën e lojë me dy sulmues në pjesën e dytë, duke u dhënë prioritet krahëve, por nuk u realizua. Ato që kërkuam nuk u realizuan.” /f.a/abcnews.al