Teuta do të sfidojë Dinamon ditën e nesërme në stadiumin “Elbasan Arena”, takim që do të luhet në orën 16:45 dhe është i vlefshëm për javën e 12-të të kategorisë superiore.
Djemtë e detit vijnë në këtë duel pas barazimit me Vllaznin dhe ndaj Dinamos e cila humbi thellë 5-0 ndaj Laçit, do kërkojnë 3 pikët e kthesës.
Në konferencën për shtyp, trajneri Renato Arapi, ka folur për ndeshjen me Dinamon, duke u shprehur optimist për sfidën me 18 herë kampionët e vendit.
Tekniku i durrsakëve përball ditën e nesërme do të ketë edhe ish-shokun e tij Bledi Shkëmbin dhe për Arapin do të jetë një sfidë e bukur mes tyre.
“Situata është optimale, të paktën për pjesën e mungesave jemi të qetë. Mungon vetëm Daja që është me kartonë të verdhë. Atmosfera është shumë e mirë para ndeshjes me Dinamon”.
“Përballja me Shkëmbin? Të them të drejtën nuk e kisha menduar që do kishte ardhur kaq herët përballja me të. Si unë, si Bledi, jemi mësuar me sfida të reja. Mendoj se do të jetë një sfidë e bukur nesër”.
“Sigurisht që për të dyja ekipet është një situatë pak e vështirë. Unë mund të flas për ekipin tim, jo Dinamon. Pavarësisht rezultateve jo të mira, në ekip mbizotëron besimi, entuziazmi, që na jep shpresë për ndeshjen e ardhshme”.
“Në këtë moment që ndodhemi nuk duhet të mendojmë për diferencën me Tiranën e vendit të parë. Duhet të mendojmë të fitojmë ndeshjet tona, duke rritur paraqitjet tona ndeshje pas ndeshje”.
“Jemi munduar të bëjmë pak ndryshime, në mënyrën e sulmit, në manovër dhe në mënyrën se si do të bëjmë presing. Shpresojmë që t’i bëjmë ato që kemi kërkuar”.
“Normalisht gjithë këtë periudhë kemi punuar në aspektin taktik, në aspektin mbrojtës. Normalisht që edhe koha është e shkurtër. Ato 2-3 gjëra që kam kërkuar, shpresoj që lojtarët t’i kenë memorizuar dhe t’i shfaqin edhe në fushë”.
“Patjetër që kam pasur kontakte me presidentin. E mendojmë merkaton e janarit, por nuk mund të flasim për emra konkretë. Jemi të fokusuar te ndeshjet dhe te rikthimi te fitoret sa më shpejt”, deklaroi Arapi. /f.a/abcnews.al

