Gjiganti amerikan i teknologjisë Apple ka nisur për herë të parë shitjen e iPhone-ve të tij të prodhuar në fabrikat indiane. Lajmi u njoftua në prezantimin e modelit të ri të smartfonit të shtunën në Nju Delhi.
Një numër i caktuar i modeleve iPhone 15 dhe iPhone 15 Plus të prodhimit indian janë në shitje që nga e premtja në disa vende, duke përfshirë vetë Indinë.
Shumica e produkteve të Apple prodhohen ende në Kinë. Megjithatë, sipas raporteve të fundit, duke pasur parasysh tensionet gjeopolitike Apple dëshiron të përfshijë vende të tjera në zinxhirët e tij, me fokus në Indi dhe Vietnam.
Shpërndarja më e gjerë e prodhimit ka qenë gjithashtu e lidhur me luftën e Rusisë kundër Ukrainës dhe pandeminë Covid-19, pasi këto ngjarje kanë zbuluar varësinë e lartë të zinxhirëve të furnizimit nga rrethanat ndërkombëtare.
India, e cila ofron stimuj nga qeveria për prodhimin e smartfonëve, me 1.4 miliardë banorët e saj është një treg tërheqës në zhvillim. Sidoqoftë, iPhone-t relativisht të shtrenjtë, ende përbëjnë vetëm një pjesë të vogël të shitjeve të smartfonëve në atë vend.
Këtë vit, Apple hapi dyqanet e tij në Indi për herë të parë./abcnews.al