Kompanitë më prestigjoze të teknologjisë në Shtetet e Bashkuara, mes të cilave Apple dhe Amazon kanë rënë viktima të sulmeve kibernetike. Duke publikuar rezultatet e një investigimi, agjencia “Bloomberg” ka bërë me dije se spiunazhi kinez ka depërtuar në rrjetet e mbi 30 kompanive.
Apple dhe Amazon janë mes shumë kompanive dhe agjencive amerikane të cilave u janë vjedhur të dhënat nga shërbimet kineze të spiunazhit. Sipas agjencisë së lajmeve “Bloomberg”, të dhënat janë transmetuar përmes qarqeve të vogla elektronike të vendosura në qarqet mëmë të kompanive.
Sipas “Bloomberg”, serverat janë kompromentuar gjatë punës fizike dhe qarqet janë vënë në punë menjëherë sapo ata janë ndezur.
Vetë gjigandët e teknologjisë e kanë mohuar lajmin, por agjencia e lajmeve insiston në investigimin e saj njëvjeçar, gjatë të cilit ka gjetur prova për një sulm kibernetik në masë të madhe, që i ka mundësuar Pekinit aksesin në 30 kompani dhe institucione federale amerikane.
Sipas investigimit, të dhënat e para për një vjedhje kibernetike kanë dalë gjatë testit të sigurisë së kryer nga Amazon në vitin 2015, përpara se të kishte filluar përdorimin e serverave të një kompanie amerikane, por të prodhuar në Kinë.
Konstatimi bëri që agjencitë amerikane të inteligjencës të nisnin një hetim sekret, përmes të cilit është zbuluar se depërtimi kinez kishte arritur bazat e të dhënave të Pentagonit, sistemet elektronike të luftanijeve dhe në të dhënat e mbledhura nga dronët e CIA-s.
“Bloomberg” nënvizon më tej se, Pekini ka të gjitha mundësitë për të bërë një sulm të tillë sepse 90 për qind e kompjuterëve në mbarë botën prodhohen në Kinë./abcnews.al