Imran Fetai është lojtari më i ri i Apolonisë. Qendërmbrojtësi, i cili në të shkuarën ka qenë edhe në rrethin e kombëtareve kuqezi, do të tentojë të afirmohet në Superiore dhe fierakët janë klubi që ai ka zgjedhur për të ardhmen.
18-vjeçari ka qenë pjesë e moshave të Shkëndijës së Tetovës dhe tani si profesionist nënshkruan me Apoloninë. Vetë kompania që e menaxhon e ka konfirmuar këtë lëvizje përmes rrjeteve sociale.
“Lojtari ynë, Imran Fetai, nga sot është pjesë e klubit KF APOLONIA nga Fieri. Qendërmbrojtësi 18-vjeçar është pjesë e kombëtares së Maqedonisë Veriore U18, lojtar shumë premtues dhe presim që në të ardhmen të arrij në kulmin e futbollit europian.
E falënderojmë klubin nga Fieri për bashkëpunimin dhe i urojme suksese në edicionin e ri të Superligës së Shqipërisë”, shkruhet në njoftimin e bërë. /abcnews.al

