Apokalips për Italinë, nuk shkon në Botëror pas 60 vjetësh

schedule14:18 - 14 Nëntor, 2017

schedule 14:18 - 14 Nëntor, 2017

Futbolli italian provoi një tragjedi që kishte 60 vjet që nuk ndodhte. Eleminimi nga Botërori u shoqërua me largimin edhe të disa emrave të mëdhenj të të Kaltërve.

Kishte 60 vjet që nuk ndodhte, të paktën në Botëror.

Italisë iu përsërit drama e 1958-ës dhe nuk do të jetë në Botëror vitin e ardhshëm.

Atëherë nuk shkoi në Suedi, ndërsa këtë radhë është Suedia që e la jashtë me barazimin që i mori në “San Siro”, në një eleminim që ishte parashikuar dhe që quhet “apokalips”.

Miliona tifozë në Apenine, por edhe miliona të tjerë në të gjithë botën nuk arrijnë ta besojnë lajmin, ndonëse Të Kaltrit kishin provuar dështime edhe në të kaluarën, anipse vetëm në Europianë, duke munguar në “apel” në 1984 apo 1992.

I kryqëzuari i parë dhe më i madhi nuk mund të ishte tjetër përveçse trajneri Xhan Piero Ventura, njeriu mbi të cilin do të mbetet damka e dështimit të parë në 60 vjet.

Pas ndeshjes, ai tha thjesht “italianë, më falni”.

I pritur me dyshim që kur u emërua, ish-trajneri i Torinos, nuk ia doli të përballonte presionin e një detyre shumë të vështirë, ndoshta i dëmtuar edhe nga mungesa e fatit, me mjaft lojtarë të dëmtuar dhe jashtë forme.

Gjithsesi, këmbëngulja e tij për disa skema fikse si 4-3-3 apo 4-2-4 krijuan probleme dhe fërkime, i fundit në “San Siro” ku De Rosi thuajse bëri kryengritje duke kërkuar hyrjen në fushë të Insinjes.

Ventura është i ikur, por të ikur janë edhe disa nga ikonat e Italisë. Xhanluixhi Bufon deklaroi largimin nga kombëtarja, në mes të lotëve, duke u shprehur se “koha është tirane”.

“Nuk ia dolëm, – tha Bufon, – unë nuk dua t’ua vjedh skenën të tjerë djemve, dhe mendoj po ashtu si Kielini, Barxali apo De Rosi, që besoj se do të largohen edhe ata”.

Mbyllet vërtet edhe poka e Daniele De Rosit, ndërsa me dy mendje është Xhorxho Kielini.

Kritikat natyrisht ishin të shumta, por pati edhe nga ata që e mbrojtën trajnerin, si Xhuzepe Bergomi.

“Mos harroni se Suedia është një skuadër shumë e mirë, që në Suedi nuk kemi fituar thuajse kurrë, dhe që këtu në Itali na kanë bërë të vuajmë, – tha ai, – kjo tregon shumë”.

Gjithsesi, sado që dështimi është i madh, në Itali po mendohet për të ardhmen.

Katër emra të mëdhenj përfliten për stolin, Karlo Ançeloti, Masimiliano Alegri, Roberto Mançini, madje edhe Antonio Konte.

Në fushë, ndërkaq, ka ardhur koha e të rinjve./abcnews.al

 

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!