Aplikimi i Kosovës për Këshillin e Evropës në sirtar deri në majin e vitit 2023

schedule17:03 - 20 Maj, 2022

schedule 17:03 - 20 Maj, 2022

Kosova duhet të presë që aplikacioni për anëtarësim në Këshillin e Evropës të shqyrtohet tek në majin e vitit të ardhshëm. Seanca e sotme e Komitetit të Ministrave që u mbajt në Torino të Italisë nuk e pati në agjendë aplikimin e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë ndërkombëtare

Ndërkaq, seanca e 133-të e Komitetit të Ministrave do të mbahet në kryeqytetin e Islandës në Rejkjavik në maj të vitit 2023 raporton Gazeta Express.

Deputeti gjerman Knut Abraham, ka shprehur fuqishëm përkrahjen që Kosova të jetë pjesë e Këshillit të Evropës.

Abraham para disa ditësh në një intervistë për Express ka thënë se pas dorëzimit të aplikacionit nga ana e Kosovës, Gjermania dhe Italia t’i japin përkrahje Kosovës për tu bërë pjesë e e KE-së.

Lexo edhe: Kurti: Kosova është në rregull, për normalizim marrëdhëniesh duhet të ndryshojë Serbia

“Kosova është e vetmja demokraci evropiane që ende nuk është anëtare e Këshillit të Evropës. Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të aplikuar për anëtarësim të enjten e kaluar, ishte absolutisht i drejtë Tani është e rëndësishme që procesi të mund të ecë përpara dhe që shtetet anëtare si Gjermania dhe Italia të mbështesin në mënyrë proaktive aplikimin e Kosovës për anëtarësim”, ka thënë deputeti gjerman për Gazetën Express.

Italia ka udhëhequr me Komitetin e Ministrave të KE-së dhe sot ka dorëzuar udhëheqjen e këtij trupi punues te Irlanda.

Megjithatë në seancën e sotme në Torino s’është shqyrtuar aplikacioni i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Para se të niste mbledhja e Komitetit të Ministrave, diplomati serb Nemanja Staroviç, nuk përjashtoi mundësinë që ndonjë shtet i KE-së të propozojë futjen në rend dite të shqyrtimit të aplikacionit të Kosovës për anëtarësim.

Shefi i tij, ministri i Jashtëm serb Nikola Selakoviq që ishte pjesë e mbledhjes së Komitetit të Ministrave ka lobuar kundër futjes së Kosovës në agjendën e Komitetit.

Ai është takuar me ministren e Jashtme të Islandës Thordis Kolburn, të cilës thotë se ia ka bërë të ditur qëndrimin e Serbisë për çështjen e anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës

“Ministri Selakoviç pati një takim me ministren e jashtme të Islandës. Ai e informoi kolegen për pozicionin e Serbisë për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropë”, thuhet në njoftimin e ministrisë së Jashtme të Serbisë.

Më 12 maj, ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka dorëzuar zyrtarisht aplikacionin për anëtarësim në Këshillin e Evropës me seli në Strasburg.

Të njëjtën ditë nga Këshilli i Evropës konfirmuan për Gazetën Express se kanë pranuar aplikacionin e Kosovës për anëtarësim dhe i njëjti është transmetuar te Komiteti i Ministrave.

“Ne mund të konfirmojmë se aplikimi për anëtarësim është pranuar dhe po i transmetohet Komitetit të Ministrave në përputhje me statutin e Këshillit të Evropës”, ka thënë zëdhënësi i KE-së Dusan Vojnovic.

Aplikacionin e shqyrton Komiteti i Ministrave dhe pas shqyrtimit të gjendjes në Kosovë, fjalën përfundimtare e jep Asambleja Parlamentare, e cila përbëhet nga përfaqësuesit kombëtarë të shteteve anëtare. Pranimi bëhet me votat e 2/3 të shumicës./GazetaExpress/