Aplikacion kundër informalitetit

schedule15:34 - 19 Korrik, 2019

schedule 15:34 - 19 Korrik, 2019

Aksioni kundër informalitetit u ndal në Tiranë. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj bëri të ditur se shumë shpejt do të nisë funksionimin një aplikacion ku qytetarët do të mund të denoncojnë bizneset me shkelje.

“Stop informalitetit” vjen në muajin Gusht. Bëhet fjalë për një aplikacion ku konsumatorë apo të punësuar mund të denoncojnë çdo biznes ku konstatojnë shkelje ligji. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj e bëri të ditur ndërsa inspektonte disa sipërmarrje në qendër të Tiranës.

“Të gjithë konsumatorët duhet të na bashkohen në këtë nismë për të sfiduar biznesin e parregullt sepse qëllimi ynë është që ata që tregohen korrekt të mos mbajnë barrën fiskale. Çdo i punësuar mund të denoncojë një biznes nëse ai nuk e ka regjistruar, nëse nuk paguhet mbi bazën e pagës reale, nëse nuk i paguan sigurimet, nuk i paguan tatimet sipas ligjit. Përmes këtij aplikacioni mund të bëhen edhe denoncime nëse konstatohen sjellje abuzive dhe korruptive nga ana e administratës tatimore”.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë kërkoi bashkëpunimin e sipërmarrësve për të garantuar zbatimin e ligjit. Denaj deklaroi e inspektimet në terren për të garantuar konkurrencën e ndershme, rritjen e të ardhurave, si dhe për të luftuar informalitetin nuk do të ndalen./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!