Gjykata e Apelit të Posaçëm Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka miratuar vendimin e shkallës së parë duke lënë nën sekuestro kantinën e pijeve alkoolike “Gjergj Kastrioti Skenderbeu”, në pronësi të ish ministrit Lefter Koka, sekuestruar pas arrestimit të tij. Togat e zeza të apelit të Posaçëm kanë rrëzuar kërkesën e Kokës duke lënë në fuqi kërkesën e SPAK për sekuestrimin e kantinës.
Ka qenë ish-ministri që ka apeluar vendimin, por dhe në këtë shkallë e ka humbur betejën me drejtësinë.
“Komunikohet në mënyrë të përmbledhur se, sot më datë 18.01.2022, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, u shqyrtua çështja me nr. 13 akti, datë 07.01.2022 regjistrimi, mbi ankimin e të hetuarit (ankues) L.K., lidhur me “Heqjen e sekuestros preventive, të vendosur me vendimin nr. 484, datë 13.12.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, ku trupi gjykues monokratik i Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, vendosi, miratimin e vendimit nr. 484 akti, datë 13.12.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në pikat 1, 4, 5, 8 dhe 9 të tij, që lidhen me pasuritë e ankuesit”, është ky njoftimi i gjykatës.
Kujtojmë se më 14 dhjetor SPAK urdhëroi prangosjen ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka për dosjen e shumëpërfolur, atë të inceneratorit në Elbasan. Prokuroria e Posaçme akuzon ish ministrin e mjedisit për tre akuza atë të “shpërdorimit të detyrës”, “pastrim të parave” dhe “korrupsion”.
Hetimet disa mujore zbuluan se Lefter Koka favorizoi pronarët dhe administratorët e kompanisë lidhur me koncesionin e inceneratorit të Elbasanit. Sipas SPAK Koka akuzohet se ka përfituar ryshfet në vlerën e 3.7 milion eurove nëpërmjet kompanive fiktive të zotëruara nga familjarë dhe të njohur të tij. /abcnews.al