Politilogu Blendi Kajsiu e shikon vendimin e Gjykatës së Apelit, që rrëzoi Sali Berishën për vulën e Partisë Demokratike, si hapin e parë për rithemelimin e kësaj force politike.
Në një intervistë për Abc News, Kajsiu u shpreh se Berisha nuk mund të jetë rithemelues, pasi ka qenë themelues i PD-së dhe se termi i përdorur prej tij, “Grupi i Rithemelimit” nuk përbën kuptim.
Ndër të tjera, Kajsiu nënvizoi se tanimë, Partia Demokratike jo vetëm mund të rithemelohet, por edhe të rinovohet, për t’i ofruar një ofertë të re qytetarëve shqiptarë.
“Unë vendimin e Gjykatës së Apelit, pa hyrë në përmbajtje, e shikoj si një tjetër mundësi për Partinë Demokratike. Nuk e shikoj si fundin e rithemelimit, por si hapin e parë drejt rithemelimit. Duhet të shpjegojmë që Partia Demokratike nuk është rithemeluar. Grupi i rithemelimit nuk është rithemelues, sepse është po ai grup që e ka themeluar.
Është paradoks logjik, historik, të thuash që themeluesi është rithemelues. Aq rithemelues ishte zoti Berisha i Partisë Demokratike para një viti, sa çmund të rithemelonte Enver Hoxha Partinë Socialiste. Vendimi i Gjykatës së Apelit, është një tjetër mundësi që Partia Demokratike jo thjesht të rithemelohet, por të rinovohet dhe t’i ofrojë një ofertë të re qytetarëve shqiptarë, ndryshe nga 30 vitet e kaluara”, theksoi ai./abcnews.al