Departamenti Amerikan i Shtetit i ka bërë apel liderëve të partive politike në Maqedoni që të lënë mënjanë interesat vetiake dhe të shfrytëzojnë mundësinë historike. Në të njëjtën linjë ka qenë dhe mesazhi i sekretarit të përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës përshëndetën rezultatet e referendumit të së dielës në Maqedoni, në të cilën qytetarët i dhanë mbështetjen anëtarësimit të vendit në NATO dhe BE me mbështetjen e marrëveshjes së Prespës mes Maqedonisë dhe Greqisë.
Në një deklaratë për media të departamentit amerikan të shtetit thuhej se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin fuqishëm zbatimin e plotë të marrëveshjes së Prespës, e cila i mundëson Maqedonisë vendin e merituar në NATO dhe BE, që do të kontribuojë për stabilitet rajonal, siguri dhe prosperitet.
Në pritje që parlamenti i Maqedonisë të nisë debatet për ndryshimet kushtetuese, DASH i bën thirrje liderëve që të lënë mënjannë interesat partiake dhe të shfrytëzojnë mundësinë historike për të siguruar të ardhmen e vendit si anëtare me të drejta të plotë e institucioneve perëndimore.
Pas referendumit në Maqedoni për t’i dhënë votën pro, marrëveshjes së Prespës për emrin e ri të shtetit, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka shprehur edhe njëherë mbështetjen e NATO-s për të nxitur procesin duke u shprehur se dera e NATO-s mbetet e hapur por duhet që liderët politikë të këtij vendi të angazhohen për ta përmbushur deri në fund, procesin.
Ndër të tjera ai tha se e mirëpriste votën pro dhe se tashmë të gjithë liderët dhe partitë politikë në vend duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me përgjegjësinë që u takon për të kapur këtë shans historik. /abcnews.al