Policia ka zbatuar urdhrin e Prokurorisë së Tiranës, duke sekuestruar pasurinë e Fatjon Muratit, i cili aktualisht ndodhet në arrest në burg.
Atij i janë sekuestruar një ërtesë në rrugën “Lord Bajron”; një dyqan në rrugën “Shaban Matraku”; një apartament, një objekt 8-katësh me sipëfaqe 800 metër katrorë, dy subjekte tregtare lokale, një subjekt tregtar lavazh makinash, një subjekt tregtar dyqan, në Tiranë.
Të gjitha këto arrinin vlerën 5 milionë euro.
Njoftimi i policisë:
Vijon puna për gjurmimin, identifikimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga aktiviteti kriminal.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Venecia”.
Sekuestrohen pasuri që arrijnë vlerën 5 milionë euro, të cilat dyshohet se rrjedhin nga veprimtaria kriminale e subjektit.
Në kuadër të procedimit penal për evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, referuar nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, u zhvillua operacioni policor i koduar “Venecia”.
Në zbatim të këtij procedimi, u bë ekzekutimi i vendimit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, për vendosjen e sekuestros preventive ndaj pasurive të paluajtshme në ngarkim të shtetasit F. M., 32 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas është ndaluar më parë nga autoritetet italiane, si i dyshuar për blerje të mallrave të vjedhura, posedim ilegal të armëve dhe të lëndëve narkotike, dhe aktualisht ndodhet në masë sigurie “Arrest në burg”, në vendin tonë, për vepra të tjera penale.
Në zbatim të vendimit të Gjykatës u bë sekuestrimi i pasurive të paluajtshme, vlera e të cilave shkon rreth 5 milionë euro, konkretisht:
•Një ndërtesë në rrugën “Lord Bajron”; një dyqan në rrugën “Shaban Matraku”; një apartament, një objekt 8-katësh me sipëfaqe 800 metër katrorë, dy subjekte tregtare lokale, një subjekt tregtar lavazh makinash, një subjekt tregtar dyqan, në Tiranë.
Nën drejtimin e Prokurorisë po vijon puna për të zbuluar asete të tjera që ky shtetas ose familjarët e tij mund t’i kenë regjistruar në emër të personave të tjerë. /abcnews.al