Nesër do të zhvillohet seanca e radhës në Kuvend, e treta me maska, doreza dhe distancim fizik, ndërkohë që nuk do të ketë seancë javën që vjen.
Konferenca e kryetarëve e mbledhur sot online bashkë me kryetrarin e Kuvendin Gramoz Ruçi nga godina e seancave plenare, miratoi kaledarin për përiudhën 1-22 maj 2020, duke caktuar dy data datat 14 dhe 21 maj 2020.
Këto dy seanca do të zhvillohen duke zbatuar rregullat dhe standartet për mbrojtjen nga COVID-19, ku deputetët do të shfaqen sërish në lozhe duke ruajtur distancën dhe të pajisur me maska dhe doreza.
Ruçi deklaroi se ligjet dhe aktet nomative të Kuvendit duhet të nxisin veprimtarinë e institucioneve dhe sektorit publik e privat për rigjallërimin e sipërmarrjes ekonomike dhe jetësore.
LEXO EDHE: Deputetët mbledhje të pazakontë, si u ruajtën nga njëri-tjetri dhe u kontrolluan nga mjekët?
“Kuvendi, me axhendën e vet legjislative, duhet t’i paraprijë strategjisë së daljes nga situata e pandemisë. Ndryshe nga parlamentet e vendeve të tjera, të cilat kanë reduktuar numrin e seancave plenare, numrin e deputetëve dhe kohën e diskutimeve, ne këtë të fundit nuk e kemi kufizuar, për t’u dhënë mundësi të gjithë deputetëve të shprehen.
Me ligjet, aktet normative, marrëveshjet dhe vendimet që programojmë të miratojmë ne duhet t’u hapim rrugë, të mbështesim dhe nxisim veprimtarinë e institucioneve të tjera dhe sektorit publik e privat për rigjallërimin e sipërmarrjes, veprimtarive ekonomike dhe jetësore. Për këtë kërkohet rritje e dinamizmit të veprimtarisë së komisioneve parlamentare, të të gjithë deputetëve dhe administratës së Kuvendit në shërbim të tyre”, tha Ruçi. /abcnews.al

