Ministri i Jashtëm i Polonisë njoftoi të dielën se një ankand “fyes” i artefakteve të Holokaustit në Gjermani është anuluar, pas ankesave të paraqitura nga të mbijetuarit e Holokaustit. Lajmin ai e bëri të ditur në platformën X, duke cituar informacionin e marrë nga homologu i tij gjerman.
Radosław Sikorski shkroi se ai dhe ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, “ranë dakord se një skandal i tillë duhet të parandalohet”. Diplomati i lartë polak falënderoi Wadephul-in për konfirmimin e anulimit të ankandit.
Më herët, një grup i të mbijetuarve të Holokaustit i kishte bërë thirrje shtëpisë gjermane të ankandeve Felzmann të ndalonte shitjen e planifikuar për ditën e hënë, e cila përfshinte qindra artefakte të Holokaustit, ndër to letra të shkruara nga të burgosur dhe dokumente të tjera me emra personash të identifikueshëm. Të dielën paradite, informacioni për ankandin nuk gjendej më në faqen e Auktionshaus Felzmann, ndërsa shtëpia e ankandeve nuk iu përgjigj thirrjeve, e-mailit apo mesazheve me tekst.
Sipas agjencisë gjermane të lajmeve, koleksioni prej më shumë se 600 artikujsh, që do të dilte në ankand në qytetin Neuss, afër Dyseldorfit, përfshinte letra të të burgosurve nga kampet naziste të përqendrimit, karta indeksi të Gestapos dhe dokumente të tjera të autoriteteve naziste. Ankandi mbante titullin “Sistemi i Terrorit”.
“Për viktimat e ndjekjes naziste dhe të mbijetuarit e Holokaustit, ky ankand është një veprim cinik dhe i turpshëm, që i lë të shokuar dhe pa fjalë,” tha të shtunën Christoph Heubner, nënkryetar ekzekutiv i Komitetit Ndërkombëtar të Aushvicit, një organizatë me seli në Berlin.
“Sfida e tyre dhe vuajtjet e të gjithë atyre që u persekutuan dhe u vranë nga nazistët po shfrytëzohen për përfitime komerciale,” shtoi ai, duke theksuar se në shumë dokumente identifikohen emra individësh.
Sipas Heubner, dokumente të tilla “u takojnë familjeve të viktimave dhe duhet të ekspozohen në muze apo memoriale, e jo të degradohen në mallra tregu”.
“U bëjmë thirrje përgjegjësve të shtëpisë së ankandeve Felzmann të tregojnë dinjitet minimal dhe të anulojnë ankandin”, përfundoi ai.

