“Anulimi i 30 Qershorit”, Komisioni Hetimor thërret Metën javën e ardhshme

schedule15:33 - 3 Shtator, 2019

schedule 15:33 - 3 Shtator, 2019

Presidenti i Republikës do ditë të thirret javën e ardhshme në një seancë dëgjimore nga komisioni hetimor i ngritur për shkarkimin e tij. Data do të përcaktohet në vijim, ndërsa burimet i thanë ABC News, se Ilir Meta nuk e përjashton mundësinë që të vijë në seancë për t’u përballur me socialistët dhe opozitën e re.

Komisioni Hetimor parlamentar për shkarkimin e Presidentit të Republikës ka vendosur të thërrasë në seancë dëgjimore Ilir Metën javën e ardhshme. Burime nga Presidenca i thanë ABC News se Presidenti i Republikës do të marrë kohën e nevojshme për të përgatitur dhe ende nuk ka marrë një vendim për të marrë pjesë ose jo në mbledhje.

Në mbledhjen e sotme Komisioni debatoi sërish nëse duhet të vazhdojë hetimi apo duhet pritur gjykata Kushtetuese. Por në këtë ditë, Presidenti i Republikës nuk u fokusua tek shkarkimi i tij, por tek zgjidhja e krizës politike.

“Propaganda anti-President nuk ndihmon sundimin e ligjit që është kusht për çeljen e negociatave në 18 tetor nga Bashkimi Europian për vendin tonë. Spostimi i vëmendjes për momentin nga detyrimi për respektimin e dekretit në fuqi të 13 tetorit për zgjedhje gjithëpërfshirëse vendore nuk ndihmon për zgjidhjen e krizës, por ndihmon përshkallëzimin e saj. Zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje!”

Komisioni Hetimor duhet ta mbyllë punën më 8 Tetor, por kjo nuk është një datë përfundimtare pasi çdo gjë do të varet nga opinioni i Komisionit të Venecias. Një delegacion i këtij komisioni mbërrin në Tiranë në 9 Shtator për të qëndruar tre ditë dhe për të takuar të gjitha palët.

Opinioni i këtij komisioni do të jetë përcaktues për shkarkimin ose jo të Presidentit. Megjithatë dinamika e brendshme politike mund të prodhojë një realitet tjetër që mund të vendosë fatin përfundimtar të Ilir Metës në krye të shtetit./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!