Antonio Konte ka gati Interin për titullin në Itali

schedule17:34 - 30 Maj, 2019

schedule 17:34 - 30 Maj, 2019

Antonio Konte ka gati planet për Interin e së ardhmes. Ish-trajneri i Juventusit dhe i Italisë ka marrë disa vendime të rëndësishme.

Gjatë gjithë jetës ka qenë një fitues.

Antonio Konte mund të mos jetë ndër trajnerët më elegantë dhe përmbajtur të botës, por padyshim është ndër më të aftët dhe më luftarakët. Këto cilësi do të përpiqet t’i sjellë menjëherë tek Interi, ku do të zëvendësojë Luçiano Spaletin.

Lajmet janë për kontratë 3-vjeçare me rrogë 9 ose 10 milionë euro në sezon, plus 2 milionë euro shpërblime të mundshshme. Klubi zikaltër njoftoi zyrtarisht në Tuiter mbylljen e bashkëpunimit me Spaletin, dhe shumë shpejt pritet të nisë Epoka e Kontes.

Nuk mjaftoi kualifikimi për në Champions, pasi drejtuesit morën vendimin mbi bazën e parimit se kush garanton më shumë sukses. Konte fitoi shumë si lojtar tek Juventusi.

Po ashtu, fitoi 3 tituj radhazi si trajner me piemontezët, në vitet 2012-2014. U vlerësua jashtëzakonisht shumë për drejtimin e Italisë në Euro 2016, duke u eleminuar vetëm pas penalltive nga Gjermania, një skuadër shumë më e fortë se të kaltrit.

Tek Çelsi ia doli të fitonte dy trofe, titullin kampion në 2017 dhe Kupën e Anglisë në 2018, ndonëse në fund e shkarkuan. Konte i ka gati planet tek Interi, dhe tashmë thuhet se ka marrë vendimin e parë të madh.

Ish-kapiteni Mauro Ikardi do të largohet, diçka logjike, pasi trajneri i ri nuk dëshiron përçarje në skuadër. Argjentinasi kërkon Juventusin, por Interi e dëshiron jashtë Italisë.

Do të largohet edhe Ivan Perishiç, kroati i talentuar, por që ka pasur ulje-ngritje, dhe që gjithashtu ka krijuar probleme në harmoninë e ekipit. Përsa i përket përforcimeve, Konte ka piketuae 3-4 emrat e parë.

Duhet të vijë sulmuesi i Romës, Edin Xheko, një lojtar ekspert dhe që garanton gola. Bashkë me të, pritet të mbërrijë Romelu Lukaku nga Mançester Junajtidi, ndonëse do të ketë konkurrencë.

Dy sulmuesit do të mbushin boshësinë e lënë nga Ikardi. Konte vlerëson shumë lojtarin e ri të Kaljarit, Nikolo Barela, për të cilin ka kohë që bisedohet dhe që mund të kushtojë deri në 50 milionë euro.

Alternativë e tij, edhe Enriko Kieza i Fiorentinës. Synimi i Kontes është të fitojë titullin në Serinë A me Interin, pas dy vjetësh. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!