Antitarifat e BE/ “Harley Davidson” zhvendos impiantet e prodhimit jashtë SHBA

schedule18:31 - 25 Qershor, 2018

schedule 18:31 - 25 Qershor, 2018

Anti-tarifat e vendosura nga BE ndaj produkteve amerikane kanë detyruar gjigandin e motorëve “Harley Davidson”, të planifikojë zhvendosjen e impianteve të prodhimit jashtë Shteteve të Bashkuara, për të shmangur koston e lartë.

Marka prestigjoze e motorëve “Harley Davidson” është e para që ka ndjerë efektet e tarifave të reja që Bashkimi Europian ka vendosur ndaj produkteve amerikane. Lëvizja e fundit e Brukselit ka detyruar kompaninë që të planifikojë zhvendosjen e impianteve të prodhimit jashtë Shteteve të Bashkuara, për të shmangur agresionin e tarifave të rritura. Javën e kaluar në Europë hynë në fuqi kuotat e reja për produktet amerikane, që veç motoçikletave vënë në shënjestër edhe uiskin dhe lëngun e portokallit. Përmes një komunikate, “Harley Davidson” ka njoftuar entin rregullator amerikan se për t’i dhënë zgjidhje problemit të taksave do të zhvendosë fabrikat e motorëve që kanë si destinacion tregun europian jashtë Amerikës. Kompania me bazë në Uiskonsin ka impiante në Brazil, Australi, Tailandë dhe Indi. Ajo ka bërë gjithashtu me dije se do të rrisë investimet në filialet e saj të huaja, por pa saktësuar se ku. Sidoqoftë, vendimi i grupit është një tregues konkret i pasojave të përplasjes tregtare të nisur nga presidenti Donald Trump me Europën, pas vendimit të tij për të rritur tarifat e çelikut dhe aluminit të importuar. Por përballë reagimit të kontinentit të vjetër, shefi i Shtëpisë së Bardhë ka bërë gati lëvizjen e radhës. Ai ka paralajmëruar se, nëse Brukseli nuk tërhiqet do të rrisë taksat për makinat europiane që hyjnë në Shtetet e Bashkuara. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!