“Antishpifje”/ Çipa: Rama ka sindromën e shoferit, frikë kur s’është vetë në timon

schedule18:10 - 16 Dhjetor, 2019

schedule 18:10 - 16 Dhjetor, 2019

Aleksandër Çipa që drejton Unionin e Gazetarëve Shqiptarë ishte pasditen e sotme në studion e “Abc News” me gazetarin Endri Xhafo për të folur për pr/ligjet e medias që njihen si paketa “antishpifje”. Çipa u shpreh se Kryeministri Edi Rama kërkon të vendosë kontroll mbi median online, pasi ka frikë prej tyre.

I pyetur nga Xhafo se si shpjegohet ndryshimi në sjelljen e Ramës, cili sa ishte në opozitë i doli në krah TCH që u gjobit nga qeveria Berisha, ndërsa tani ka një sjellje tjeter ndaj medias, Aleksandër Çipa u përgjigj: “Unë nuk kam kryer një studim mbi këtë, por mund ta perifrazoj me një metaforë. “Timoni” është metafora më e qenësishme. Ka sindromën e shoferit, pra ka frikë kur timonin e ka tjetri dhe jo ai”.

Më tej, Çipa vlerësoi reagimin e të gjithë organizatave kundër këtyre pr/ligjeve të qeverisë. “Eshtë një reagim në bllok që s’ka ndodhur në 20 vitet e fundit, unitet mes organizatave. Po kështu kanë reaguar edhe organizatat ndërkombëtare”.

Me ndryshimet e reja që kërkon të bëjë qeveria, AMA që merrej me TV dhe Radio, tani do merret dhe me portalet. Sipas Çipës, gazetarët nuk po refuzojnë regjistrimin e potaleve por po kundërshtojnë arkitekturën e qeverisë, që kërkon të mishërojë në dy institucione, procesin që rregullon median. “Këto institucione AKEP dhe AMA do funksiojnë si agjenci censurimi”, theksoi ai.

“Bordi i AMA-s dhe Këshilli i Ankesave sipas draftit do përcaktojnë përgjegjësitë editoriale. Në asnjë vend të botës nuk ndodh kjo. Pra masat administrative (gjobat) i vendos bordi si një akt përmbarimor, pa pritur vendimin e gjykatës. Këto sanksione që parashikohen në projektligje do intimidojnë redaktorët dhe editorët e mediave online në mos do i censurojnë”, u shpreh Çipa.

I pyetur nga gazetari, Endri Xhafo se si do të rregullohet pjesa etike që mungon në portale, Aleksandër Çipa tha se media në Shqipëri në vite ka kalua në procese vetërregulluese. Ai solli në kujtesë vitin 2005 kur Tv kaluan në transmetike digjitale.

Po kështu kujtoi edhe median e shkruar (gazetat) që tani janë etike por në vitet ’92-96 kanë patur ndotje etike. “Pse duhet të humbasim besimin për median online, kur Tv dhe gazetat kanë kaluar pëmes këtyre proceseve vetërregulluese?”, u shpreh ai.

Më tej, gjatë bisedës në studion e Abc News me gazetarin Endri Xhafo, Aleksandër Çipa tha se aktualisht janë 800 media online në Shqipëri, prej të cilave 100 funksiojnë shumë mirë dhe zbatojnë rregullat e etikës. Sipas tij, shqetësimi për censurën nuk është vetëm për këtë qeveri. “Gjatë takimit me Bashën, i kërkuam reagim sepse nëse ndodh rotacioni, pra ikën kjo qeveri dhe vjen tjetra do të censurohet sërish media. Ne duam që këto drafte të zhbëhen”, theksoi ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!