Rezoluta e Partisë Socialiste për luftën kundër korrupsionin kalon të hënën në Kuvend. Nisma u miratua vetëm me shumicën e votave të mazhorancës.
Deputeti socialist, Blendi Klosi foli në News Line për rezolutën antikorrupsionit. Klosi u shpreh i keqardhur lidhur me qëndrimin e opozitës duke u shprehur se shpreson që deri ditën e hënë të ketë reflektuar dhe t’i bashkohet kësaj nisme.
Gjithashtu ai sqaroi se nuk ka mbivendosje të strukturave të drejtësisë.
“Mendoj që ditën e hënë do të jetë një ditë reflektimi dhe shpresoj që ata të marrin pjesë aktive në debate, Mund të kalojë me votat e mazhorancës dhe do të jetë kjo një humbje për opozitën. Lufta kundër korrupsionit është në të mirë të shqiptarëve dhe do të duhej të merreshin vendime të përbashkëta. Pra kërkohet pjesëmarrje dhe fatkeqësisht nga opozita do të ketë një votë kundër rezolutës që nuk i bën mirë nisjes së kësaj reforme. Shumica prej tyre nuk kanë gjetur guximin që të marrin pjesë në diskutim. Kështu ishte edhe për reformën në drejtësi, kështu është edhe kjo reformë, një ftesë e hapur nga PS, nga Edi Rama që të bëhemi bashkë kundër korrupsionit. Kjo luftë kundër korrupsionit e kërkon këtë dakordësi. Parimet janë të qarta, pasi për të luftuar korrupsionin është me rëndësi ngushtësimi i hapësirave për të bërë korrupsion. Lufta duhet të jetë nga të gjithë frontet”, tha më tej Klosi.
Drafti me tetë pika, i cili është i përqendruar në luftën kundër korrupsionit dhe zbatimit të reformave në institucione, i shërben procesit gradual të Integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
/abcnews.al/