Antibiotikët, rrezik për veshkat/ Mjekët: Përdorimi i tepërt shkakton dëme të parikuperueshme

schedule14:00 - 22 Mars, 2025

schedule 14:00 - 22 Mars, 2025

Përdorimi pa kriter i antibiotikëve, është një problem i vërtetë në Shqipëri.

Shqetësimi, sidomos për përdorimin ndonjëherë edhe pa recetë mjeku, rritet edhe më shumë kur një raport i fundvitit të kaluar nga OBSH thoshte se antibiotikët pa kriter kanë çuar në rritjen e rezistencës antimikrobike,duke bërë që ekspertët e shëndetësisë botërore ta vendosin këtë problematikë në listën e 10 kërcënimeve globale të shëndetit publik.

Nefrologia Marsida Duli thotë se dëme të parikuperushme lidhen edhe me funksionimin e veshkës, dhe kjo duket edhe nga rritja e të prekurve nga kjo sëmundje.

“Përveç faktorëve tradicional që dëmtojnë veshkën që janë sëmundjet e veshkës, si diabeti dhe hipertensioni, patjetër që ndikojnë faktorë që lidhen me stilin e jetesës. Ndikon ushqyerja si alkooli dhe duhani si dhe përdorimi pa kriter i antibiotikëve, që do të thotë përdorin antibiotikë pa recetë mjeku. Edhe medikamente që trajtojnë dhimbjen, antiflamatorët, ibuprofeni, etj, shkaktojnë dëme tek qytetarët të veshkat, përfshirë edhe të rinjtë”, ka thënë ajo.

Sëmundjet më të shpeshta të veshkave janë infeksionet urinare dhe gurët në veshka. Zakonisht këto sëmundje shfaqeshin më shumë me rritjen e moshës, por, vitet e fundit sipas bluzave të bardha gjithnjë e më shumë po preken të rinjtë, dhe kjo si pasojë e stilit të jetesës dhe kequshqyerjes.

“Moshat e reja janë të prirur të shfaqin dhimbje akute të menjëhershme, më herët kishim problem në dekadën e 5-6, ndërsa tani po afrohen. Shfaqja e diabetit dhe obezitetit e hipertensionit në moshë të re, ka sjell shfaqje edhe tek të rinjtë. Nuk janë të rralla rastet të cilat kemi në moshat 19-20 vjeçare që nuk kanë kryer kontrolle më herët periodike dhe në këtë moshë zbulohen edhe probleme tek aparati urinar. Ekzaminimi dhe depistimet e aparatit urinarë nuk njohin moshë…”

Sëmundja kronike e veshkës fillon në mënyrë të heshtur, por, mjekja nefrologe Duli tregon shenjat sinjalizuese që nuk duhen neglizhuar.

“Shenjat kryesore që duhet të jenë alarm për problematikë nis nga lodhja, ndjenja e këputjes, dhimbjet në mes, në fund të barkut, urinim i shpeshtë. Ënjtjet në këmbë, përreth syve, apo edhe luhatja e presionit arterial”, thotë ajo.

1 në 7 persona janë të prekur nga sëmundjet e veshkave, sipas statistikave botërore, ndërsa mjekët këshillojnë qytetarët për depistim të hershëm dhe konsultën me mjekun specialist.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!