Në Forumin e Ballkanit Kundër Anti-Semitizmit, kryeparlamentarja e Kosovës, Vjosa Osmani u shpreh ndër të tjera se edhe në ditët e sotme, komuniteti hebre duhet të marrë edhe një herë konfirmimin se “të gjithë ne jemi të përkushtuar për të luftuar anti-semitizmin.”
Osmani u shpreh se është për t’u theksuar që ky forum po mbahet nga Parlamenti i Shqipërisë, vendi që kishte më shumë hebrenj pas luftës, sesa para saj.
“Vendi, populli i të cilit dha besën për mbrojtjen pa kushte dhe shpëtimin e çdo hebreu që hynte në territorin e tij. Edhe duke vënë në rrezik jetët e tyre. ”
Siç u shpreh Osmani, në një kohë që bujaria dhe toleranca është një nga tiparet më dalluese të shqiptarëve, këta të fundit e kuptonin dhe e kuptojnë shumë mirë situatën dhe dhimbjen e hebrenjve.
“Kjo, për shkak të shekujve me radhë gjatë të cilëve kanë luftuar për liri.”
Po ashtu, kryeparlamentarja e Kosovës theksoi se racizmi dhe gjuha e urrejtjes nuk luftohen vetëm duke miratuar rezoluta, por duhet një plan i mirfilltë që të integrohet në arsim.
Osmani, përmendi po ashtu edhe mediat sociale, të cilat sipas saj, mund të shfrytëzohen për të bërë fushata me target të rinjtë. s.b/abcnews.al/