Në një intervistë për “Der Spiegel”, Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, që vjen nga radhët e Partisë së Gjelbër, shpjegon hezitimin e gjatë të Berlinit lidhur me furnizimin e Ukrainës me armë, dhe ndryshimin që ka ndodhur javët e fundit.
Shefja e diplomacisë gjermane, thotë se nuk duhen neglizhuar kërcënimet e Putin për përdorimin e armëve bërthamore. Por shton se Gjermania dhe Perëndimi do të bëjnë gjithçka që kanë në dorë të ndalur pushtimin rus, dhe për të garantuar lirinë e ukrainasve dhe gjithë evropianëve.
Lexoni të plotë intervistën e shefes së diplomacisë gjermane për “Der Spiegel“, përkthyer nga abcnews.al:
Deri në fillimin e pushtimin rus, ju ishit kundër dërgimit të armëve në Ukrainë. Tani në restropektive, a mendoni se kjo ishte një qasje e gabuar?
Ne provuam gjithçka që kishim mundësi deri ditën e fundit, për të parandaluar një pushtim rus të Ukrainës. Edhe unë mendova se ekzistonte një shans i fundit që Moska të rikthehej në tryezën e bisedimeve. Në një situatë kaq delikate, mendon nëse veprimet e tua do ta parandalojnë apo provokojnë diçka më të keqe.
Dërgesat e armëve nga ana jonë, do t’i kishin dhënë Vladimir Putinit një pretekst tjetër për të sulmuar Ukrainën. Ne nuk donim t’ia jepnim atë shkas. Ndaj në vend të saj, presidenti rus u detyrua të përdorë pretendimin absurd se ai duhej të mbronte popullin e Ukrainës nga nazistët.
A do të ishin shpëtuar shumë jetë njerëzish, nëse Ukraina do të ishte armatosur më mirë?
Për shkak se ne tani e dimë se Putini donte të sulmonte Ukrainën pavarësisht çdo gjëje, edhe unë pyes veten nëse dërgesat e hershme të armëve gjermane, do të kishin bërë diçka më të mirë. Askush s’mund të thotë me siguri, se sa shumë ndryshe mund të ishte situata. Vendet e tjera i dërguan armë Ukrainës para nesh, dhe ajo gjithsesi u pushtua nga Rusia.
A do të ndikojë kjo në procesin tuaj të vendimmarrjes në të ardhmen? Nëse shtohen kërcënimet e Rusisë ndaj Moldavisë dhe Gjeorgjisë, a do të jeni më të gatshëm të nisni dërgesat e armëve atje?
Kur flitet për luftën nuk ka plane të qëndrueshme. Sigurisht, ne do të kemi parasysh në situatat e ardhshme, faktin që Putin e shkeli premtimin e tij, vetëm një ditë pasi pretendoi se donte të negocionte. Kur realiteti ndryshon, politika duhet të jetë në gjendje të përshtatë koordinatat e saj. Çdo gjë tjetër do të ishte dogmatizëm.
A jeni në favor të shpenzimit të fondit special prej 100 miliardë eurosh vetëm për ushtrinë?
100 miliardë janë tashmë në dispozicion për aftësitë tona mbrojtëse, dhe për përgjegjësitë tona në kuadër të NATO-s. Kjo përfshin blerjen e avionëve luftarakëve F-35, helikopterëve ushtarakë funksionalë, municioneve, sistemeve radio që janë të sigurta, si dhe pajisjeve të tjera më të avancuara.
Kjo do të thotë që ne duhet të mbrohemi edhe nga sulmet kibernetike. Dikur infrastruktura jetike sulmohej me raketa. Por sot spitalet dhe termocentralet sulmohen përmes internetit. Kjo është arsyeja pse investimi në mbrojtjen tonë kibernetike është një komponent jetik i aftësive tona mbrojtëse.
Kancelari Olaf Scholz ka folur për rrezikun e luftës bërthamore. A është diçka që ju shqetëson edhe juve?
Presidenti rus i ka shkelur të gjitha marrëveshjet që kemi arritur në Evropë për të jetuar të gjithë në paqe. Një element qendror i partneritetit NATO-Rusi, ishte që ne do të diskutonim së bashku mbi procesin e çarmatimin bërthamor. Putini e ashpërsoi retorikën e tij për këtë çështje që disa vite më parë. Por kërcënime të tilla, duhet të merren më seriozisht në situatën aktuale të një lufte të nxehtë.
Sondazhet kanë treguar se 45 për qind e gjermanëve, janë kundër furnizimit të Ukrainës me armë të rënda. Si mund ta zbusni shqetësimin e tyre?
Një fuqi bërthamore po zhvillon një luftë shumë pranë nesh. Ata që nuk janë të shqetësuar për këtë, ose nuk janë të sinqertë, ose nuk e kanë kuptuar situatën në të cilën gjendet Evropa që prej datës 24 shkurt. Unë jam e bindur se shumica dërrmuese e gjermanëve, e kupton saktësisht se me çfarë jemi duke u përballur.
Synimi i politikave tona është de-përshkallëzimi. Ne duam të parandalojmë përhapjen e luftës në vende të tjera. Kjo është arsyeja pse duhet t’ia bëjmë të qartë Putinit se do të mbrojmë territorin e aleancës me gjithçka që kemi në dorë. Dhe ne po e mbështesim Ukrainën me dërgesa armësh, në mënyrë që të sprapsen trupat e Putinit, dhe të mos vazhdojnë të kryejnë të papenguar krime lufte kundër popullatës civile.
Furnizmi i me armë, përkthehet në një de-përshkallëzim të situatës?
Unë do të doja me gjithë shpirt të mos na duhej të dërgonim armë në Ukrainë. Por nëse nuk e ndihmojmë Kievin në ndaljen e avancimit rus me armë – pasi Putini nuk po merr vesh me fjalë – do të jemi pjesërisht përgjegjës që qytete të tjera në Ukrainë mund të shndërrohen në një Mariupol ose Bucha.
Nga këndvështrimi juaj, cili është qëllimi i kësaj lufte?
Që populli i Ukrainës të mundet të jetojë sërish në paqe. Dhe ne po bëjmë gjithçka, në një sërë nivelesh të ndryshme, për ta arritur këtë qëllim:humanitar, financiar, por edhe në sanksione ekonomike.
Rusia nuk ka gjasa të tërhiqet nga territori që ka pushtuar deri më tani. A do të detyrohet Kievi të lëshojë për arritjen e një kompromisi me Moskën?
Vetëm Ukraina mund të marrë vendime për të ardhmen e Ukrainës. Por ne mund t’i mbështesim që ata të kenë mundësinë të vendosin lirisht për fatin e tyre.
Në fillim të muajit mars, 141 shtete anëtare të OKB-së e dënuan pushtimin rus. A druheni se ky front i gjerë mund të shpërbëhet, përballë rritjes së çmimeve të ushqimit dhe energjisë?
Efektet e kësaj lufte po ndikojnë në shkallë të ndryshme në vende të ndryshme. Shtete si Somalia, Egjipti dhe Libani, janë thuajse tërësisht të varura nga gruri dhe misri që importojnë nga Rusia dhe Ukraina. Tani, Rusia po bllokon portet e Ukrainës, ku ruhen drithërat, dhe arat në Ukrainë nuk mund të mbillen për shkak të luftës. Presidenti Putin ka futur në një ankth të madh shumë vende.
Gjermania mban aktualisht presidencën e G-7. A po planifikoni të bëni diçka specifike në këtë format?
Po, sepse si vende të industrializuara, ne kemi një përgjegjësi të madhe. Fokusi i udhëheqjes sonë të G-7, do të jetë krijimi i një aleance kundër krizës ushqimore aktuale.
Dhe shtetet e Gjirit Persik dhe vendet e tjera në botë, disa prej të cilave kanë mbajtur qëndrimin se lufta nuk ka aspak të bëjë me to, duhet ta shohin gjithashtu këtë si një ftesë për t’u bashkuar me ne. Ashtu si me krizën e klimës, ne mund ta përballojmë vetëm së bashku luftën kundër urisë globale.