Mungesë humori, mbyllje në vetvete e deri çrregullime të ankthit po manifestojnë shumë fëmijë pas pandemisë së Covid. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë që analizoi sjelljen e fëmijëve në moshë shkollore në 17 shtete të Europës përfshirë dhe Shqipërinë rreth 1 në 5 fëmijë raportuan se shpesh ndjehen të trishtuar ndërsa 1 në 4 të vetmuar.
Psikologia Valbona Treska përmes një lidhjeje ‘live’ për “News Line” në ABC Neës, tha se prindërit duhet t’u kushtojnë vëmendje fëmijëve. Më tej ajo theksoi se situata nuk është alarmante, por prindërit duhet të këshillohen me mjekët.
“Apeli që unë do bëja është që prindërit të jenë të vëmendshëm ndaj fëmijëve të tyre. Probleme të shëndetit mendor marrin trajtim, ndaj nuk ka nevojë për alarm. Janë gjëra të rikuperueshme, por nuk duhen neglizhuar. Duhen parë simptomat si mungesë mendje, mungesë oreksi. Sot rrisim fëmijë që janë të vetmuar dhe të vetmit shokë i ka nga komunikimet online. Fëmija duhet të jetë i gatshëm të përballet me situata të caktuara. Gjërat që ne kemi kaluar na kanë shërbyer që të përballemi me problemet tona. Nuk është situatë alarmante, mirëpo prindërit duhet të këshillohen me mjekët.”, tha ajo. /abcnews.al