Fregata “Aconit” e Marinës Franceze në Portin e Durrësit, stërvitje të përbashkëta me forcat shqiptare

schedule10:53 - 19 Prill, 2022

schedule 10:53 - 19 Prill, 2022

Ditën e sotme fregata tip La Fayette (FLF) Aconit është ankoruar në portin e Durrësit për një ndalesë disaditore.

Kjo fregatë është vendosur në Mesdheun qendror si pjesë e misioneve të prezencës së rregullt të anijeve luftarake franceze në këtë zonë detare dhe veçanërisht në detin Adriatik. Patrulla Aconit i mundëson Francës të përvetësojë njohuri të pavarura për zonën, të kontribuojë në sigurinë e qasjeve detare në Evropë dhe të afirmojë kujdesin që tregon Franca për sigurimin e lirisë së qarkullimit detar dhe ajror.

Bashkëpunimi me aleatët e Francës është në qendër të dislokimit të Aconit. Në këtë kontekst kjo fregatë zhvillon disa seanca të përbashkëta stërvitore me partnerët e NATO-s gjatë gjithë misionit të saj. Këtu, bashkëpunimi me Shqipërinë zë një vend të veçantë, që synon njohjen e ndërsjellë dhe ndërveprimin mes marinës franceze dhe asaj shqiptare, në shërbim të stabilitetit të rajonit.

Gjatë kësaj ndalese, ekuipazhi i Aconit do të bashkëpunojë me marinarët shqiptarë me qëllim shkëmbimin e ekspertizës dhe njohurive midis partnerëve të bregut të Mesdheut, veçanërisht në fushat e operacioneve policore në det, të përpjekjeve kundër avarive dhe të zhytjes ushtarake. Këto shkëmbime do të bëjnë të mundur edhe përgatitjen për periudhën e stërvitjes së ndërsjellë në det që do të zhvillohet ditën e largimit të Aconit nga Durrësi, së bashku me një mjet të marinës shqiptare.

FLF Aconit ka filluar shërbim aktiv në vitin 1999, dhe është një nga pesë fregatat e tipit La Fayette të Forcës së Veprimit Detar. Si një anije luftarake e fshehtë dhe polivalente, Aconit mund të kryejë veçanërisht misione të mbikëqyrjes detare, të zbulimit, të vendosjen në gatishmëri të forcave speciale ose të integrohet në një Task Force në një zonë krize.

Për shkak të rrethanave të kujdesit shëndetësor, nuk do të organizohet asnjë vizitë publike në anije gjatë qëndrimit të saj në portin e Durrësit.

Një konferencë shtypi do të mbahet në bordin e anijes sot në orën 14 :15. /abcnews.al/