Turqia ka reaguar ashpër ndaj një prej deklaratave të Emmanuel Macron, gjatë një vizite në Algjeri.
“Të jemi të qartë: shumë prej aktivistëve të Islamit politik kanë një armik: Francën. Shumë prej rrjeteve që janë nën presion të fshehtë, disa nga Turqia, disa nga Rusia ose nga Kina, kanë një armik: Francën”, citohet të ketë thënë presidenti i Francës.
Përfaqësuesja e Ministrisë së Jashtme turke Tanzu Bilgic e cilësoi të trishtë faktin që “presidenti francez bëri deklarata që synonin vendin tonë, bashkë me vendet e tjera”.
“Është e papranueshme që Macron, i cili ka vështirësi të merret me të kaluarën e tij koloniale në Afrikë, veçanërisht në Algjeri, të përpiqet të heqë qafe të kaluarën e tij duke fajësuar vendet e tjera, përfshirë vendin tonë.
Turqia, e cila inkurajon miqësinë, jo armiqësinë, dhe është ndër partnerët strategjikë të Bashkimit Afrikan, po përforcon dita ditës marrëdhëniet e saj si me Algjerinë ashtu edhe me vendet e tjera të kontinentit afrikan”, theksoi Bilgiç, duke shtuar:
“Nëse Franca beson se ka reagime kundër saj në kontinentin afrikan, ajo duhet të kërkojë burimin e këtyre reagimeve në të kaluarën e saj koloniale dhe përpjekjet e saj për t’i vazhduar ato me metoda të ndryshme dhe të përpiqet t’i korrigjojë ato.
Pretendimi se këto reagime janë shkaktuar nga aktivitetet e vendeve të treta, në vend që të përballen dhe të zgjidhin problemet e së kaluarës së tyre, jo vetëm që mohon një fenomen dhe histori sociologjike, por pasqyron edhe mentalitetin e deformuar të disa politikanëve”.
“Shpresojmë që Franca, të arrijë pjekurinë sa më shpejt të jetë e mundur për t’u përballur me të kaluarën e saj koloniale pa fajësuar vendet e tjera, përfshirë vendin tonë”, përfundoi ajo.
/abcnews.al