Anija e lundrimit ndryshon kursin për të shmangur konfiskimin

schedule04:25 - 25 Janar, 2022

schedule 04:25 - 25 Janar, 2022

Pasagjerët në bordin e një anije lundrimi u befasuan nga ndryshimi i destinacionit këtë fundjavë kur anija e tyre luksoze u ankorua në Bahamas për të shmangur konfiskimin në SHBA. Ndryshimi i kursit në minutën e fundit erdhi pasi një gjykatës amerikan dha një urdhër për sekuestrimin e anijes Crystal Symphony, mbi një padi që përfshinte faturat e papaguara të karburantit. Anija ishte menduar të kthehej në Miami të shtunën pas një lundrimi dy javor.

Të dielën pasagjerët u dërguan me traget në një port në Florida. “Ne ishim një anije pirate që po iknim nga kapja!” tha muzikanti Elio Pace i cili ka bërë turne në anije që nga viti 2013. Anija u nis nga Majami në datën 8 janar dhe ishte menduar të kthehej në SHBA këtë fundjavë. Por të enjten një gjykatës federal i SHBA-së lëshoi ​​një urdhër arresti për anijen që është një praktikë detare, ku një marshall amerikan merr kontrollin e anijes sapo ajo hyn në ujërat e SHBA-së.

“Peninsula Petroleum Far East” ngriti padi kundër “Crystal Cruises” dhe “Star Cruises” në Floridan e Jugut të mërkurën, pasi dyshohet se i detyrohen së bashku 4.6 milion dollarë në faturat e papaguara të karburantit. “Crystal Cruises” refuzoi pyetjet mbi “çështjet ligjore në pritje” dhe “Peninsula Petroleum Far East”  nuk iu përgjigj kërkesës së “BBC-së” për koment.

Pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit kaluan natën e së shtunës të ankoruar në ishullin Bimini të Bahamasit sipas muzikantit Elio Pace. “Crystal Cruises” gjithashtu organizoi transportin tokësor në aeroportet lokale dhe Portin e Majamit, për rikthimin e pasagjerëve në Florida tha linja e lundrimit për “BBC-në” në një deklaratë. / abcnews.al 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!