Anglia nuk e braktis Botërorin/ Chelsea në gjysmëfinale me fat, por edhe me meritë

schedule14:01 - 5 Korrik, 2025

schedule 14:01 - 5 Korrik, 2025

Jo më kot e kishin vlerësuar si favorit. Çelsi ndoshta nuk është skuadra më e mirë e kësaj Kupe të Botës për Klubet, por gjithsesi, është tepër I fortë dhe cilësohet si kandidati numër 1 për të fituar trofeun.

Kjo edhe për shkak të itinerarit që I takon të kalojë, dhe fitorja ndaj Palmeirasit sikur vërtetoi gjithçka.

Blutë e Londrës ia dolën 2-1 në stadiumin “Linkoln Fajnenshël Fild” në Filadelfia, në një përballje që edhe e luajtën më mirë, por edhe që e fituan me fat.

Koul Palmer, lojtari numër 1 I londinezëve këtë sezon, shënoi shpejt për 1-0 që në 16’, dhe anglezët padyshim që bënë më shumë.

Statistikat e tregojnë qartë me gati dyfish mbajtje topi dhe trefish në gjuajtje.

Sidoqoftë, Palmeiras jo më kot është skuadra më në formë e Brazilit, dhe nuk kishte ardhur pa arsye deri në çerekfinale.

Ekipi nga Sao Paulo reagoi pas pushimit, ndërsa goli I barazimit ishte I veçantë.

Jo vetëm për shkak të realizimit të shkëlqyer nga 18-vjeçar, Estevao, por edhe sepse sulmuesi I shënoi ekipit të tij të ardhshëm.

Çelsi ka paguar plot 34 milionë euro për një adoleshent, ndonëse mund të quhet me fat sepse vlera e kartonit të Estevaos arrin në 60 milionë euro, dhe Palmeiras u detyrua të pranonte sepse kontrata përfundon pikërisht tani.

Blutë e Londrës, të vetmit përfaqësues të Anglisë në Botëror, gjithsesi nuk u dorëzuan pas barazimit 1-1.

Avantazhin e gjetën në 83’, pasi Agustin Giai u detyrua të shkaktonte autogol.

Anglezët e mbyllën në sulm duelin në prani të gati 66 000 spektatorëve, dhe në 8 korrik e pret gjysmëfinalja ndaj rivalit tjetër brazilian, Fluminense. / abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!