Që nga hedhja e firmës ka kaluar kohë. Tomas Tuhel do të ketë pagëzimin e zjarrit, siç mund të thuhet, në detyrën e tij tepër të nderuar si trajner I Anglisë, ndonëse dy sfidat e para sikur ia kanë përcaktuar me hatër.
Tekniku gjerman dhe “tre luanët” do të luajnë ndaj Shqipërisë në 21 mars në “Uembli” të Londrës” dhe ndaj Letonisë, tri ditë më vonë, dhe asgjë më pak se 6 pikë nuk priten nga nënkampionët e Europës.
Ish-njeriu I stolit I Çelsit dhe I Paris SG, që ka fituar Championsin dhe ka dalë në një tjetër finale, ka thirrur një skuadër të fortë.
Aty nuk mungojnë emra të tillë si Harri Kejn, Xhud Belingham, Fil Foden apo Palmer, ndonëse mbrojtësi I krahut I Liverpulit, Aleksandër Trent-Arnold mungon për shkak dëmtimi.
Gjithsesi, gjermani ka shkaktuar edhe habi me grumbullimin e ish-yllit të Mançester Junajtidit, Markush Rashford, dhe të ish-mesfushorit të Liverpulit, veteranit Xhordan Henderson.
Futbollisti I Njukasëllit, Dan Bërn, u shpërblye me një ftesë pak orë pasi fitoi Kupën e Ligës të dielën.
Në tërësi, Anglia është një përzierje e përvojës dhe e të rinjve, ndërsa ambiciet janë për të fituar Kupën e Botës 18 muaj më vonë.
Edhe pse trajneri I mëparshëm, Garet Sauthgejt, është larguar, ai ka lënë pas trashëgiminë aspak të vogël për anglezët, me dy finale europiane radhazi dhe një gjysmëfinale të Botërorit.