Angli, substanca e panjohur helmon dy persona/ Rikthehet makthi “Skripal”

schedule19:25 - 4 Korrik, 2018

schedule 19:25 - 4 Korrik, 2018

Helmimi i dy personave nga një substancë e panjohur në Angli ka kthyer tek autoritetet frikën e përsëritjes së rastit “Skripal”, spiuni rus që u helmua me agjent nervor. Komiteti i emergjencave të qeverisë britanike është mbledhur për të diskutuar mbi ngjarjen, e cila po hetohet nga anti-terrori.

Dy persona, burrë e grua, janë gjetur në gjendje kritike për jetën në një lokalitet të Anglisë, pasi janë helmuar nga lëshimi i një substance. Çifti u gjet pa ndjenja të dielën në shtëpinë e tij në Ejmsbëri dhe fillimisht u mendua se shkak ishte bërë një mbidozë heroine, por dështimi në identifikimin e substancës kanë ngritur tek autoritetet dyshimet se mund të bëhet fjalë për një agjent nervor. EJMSBËRI ndodhet 8 milje larg qytezës Salisburi, vendi ku u gjet pa ndjenja ish-spiuni rus Sergei Skripal dhe e bija Julia, të cilët u helmuan me një agjent të llojit Noviçok. Substanca e përdorur në ngjarjen e 4 marsit të kaluar u identifikua nga një laborator shkencor i Ministrisë britanike të Mbrojtjes, ekspertët e të cilit janë angazhuar edhe për rastin e ditëve të fundit. Komiteti qeveritar i emergjencave, Kobra, është mbledhur menjëherë për të diskutuar mbi episodin, i cili po trajtohet me shumë seriozitet dhe po hetohet nga agjentët e anti-terrorit. Aktualisht çifti ndodhet i shtruar në spital, në gjendje kritike për jetën. Ndërkohë, qyteza Ejmsbëri është mbushur nga agjentë policie që kanë bërë izolimin e zonës ku banojnë burrë e grua.