Holandë-Angli dhe Portugali-Zvicër është shorti i gjysmëfinaleve të Ligës së Kombeve. Duelet janë të forta, ndërsa zviceranët shpresojnë të dalin kampionë, nën drejtimin e yjeve me origjinë shqiptare si Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri.
Njëri prej dueleve është vërtet i madh. Do të jetë Holandë-Angli gjysmëfinalja më klasike e Ligës së Kombeve në qershorin e vitit të ardhshëm.
Kjo doli nga përzgjedhja e goglave në shortin e hedhur nga UEFA, ndërsa sfida tjetër do të jetë Portugali-Zvicër. Holanda dhe Anglia janë dy prej skuadrave më të mëdha të botës, ndërsa kishin kohë pa u ndeshur në nivele kaq të larta.
Holandezët e trajnerit Ronald Kuman u kualifikuan në një grup jashtëzakonisht të vështirë duke eleminuar Francën, kampione të botës, dhe Gjermaninë.
Me yje të rinj dhe me lojë sërish offensive, kampionët e Europës të vitit 1988 janë sërish pretendentë për trofeun prestigjioz.
Anglia e trajnerit Sauthgejt, po ashtu, është rikthyer. Në grup, eleminoi gjithashtu rivalë të mëdhenj si Spanjën favorite dhe Kroacinë nënkampione të botës.
Shpikësit e futbollit konfirmuan atë që treguan në Kupën e Botës në Rusi, ndërsa Sauthgejt ka krijuar një ekip me shumë yje të rinj, që premtojnë sukses për një kohë të gjatë, nën udhëheqjen e kapitenit Harri Kejn.
Bilanci është në favor të anglezëve, por vitet e fundit më mirë kanë qenë holandezët. Gjysmëfinalja tjetër, është ajo Portugali-Zvicër.
Kampionët e Europës në fuqi mund të cilësohen favoritë, sidomos nëse në ekip kthehet edhe Kristiano Ronaldo.
Ata eleminuan në grup Italinë dhe Poloninë. Zvicra sot është më pak shqiptare nga numri I lojtarëve në fushë, por më shumë shqiptare nga ndikimi i tyre.
Granit Xhaka është kapiten me Xherdan Shaqirin si yll kryesor, dhe ata e treguan veten duke eleminuar Belgjikën e fortë dhe Islandën.
Portugali-Zvicër luhet në 5 qershor në stadiumin e Portos në Portugali, ndërsa Holandë-Angli, në 6 qershor në Gimaresh, me finalen po në Porto në 9 qershor. /abcnews.al