Një flamur rus është shpalosur mëngjesin e së dielës në Angli, në qytezën ku rreth një vit më parë u helmua me gaz nervor ish-agjenti rus Sergei Skripal dhe e bija. Të indinjuara, autoritetet lokale e kanë cilësuar veprimin një akt marrëzie dhe policia ka nisur një hetim.
Një flamur rus është shfaqur papritur jashtë katedrales së Sallisbërit, qyteti ku u helmua me agjent kimik ish-spiuni rus Sergei Skripal dhe e bija Julia. Flamuri u pikas në mëngjes nga punëtorët që po punonin për restaurimin e katedrales, të cilët dhe e hoqën. Autoritetet lokale e cilësuan episodin një “marifet idiot” në dritën e përvjetorit të ngjarjes së vitit të kaluar me gazin Noviçok.
Policia vendase deklaroi në lidhje me sa ndodhi se është herët për të dalë në përfundimin nëse vendosja e flamurit është një vepër penale, por shtoi se hetuesit po mbikëqyrin kamerat e sigurisë në zonë. Nga lënda nervore e përdorur ndaj ish-oficerit rus dhe së bijës, që i mbijetuan agresionit, gjeti vdekjen më vonë një grua, që ra në kontakt me substancën e braktisur në një lulishte të Sallisbërit.
Daun Stërxhs u sëmur bashkë me partnerin e saj Çarli Roulli, por ndërsa ky i fundit mbijetoi, gruaja ndërroi jetë në spital më 8 korrik të vitit të kaluar. Asokohe, agjencitë hetimore të qeverisë britanike identifikuan dy oficerë të shërbimit sekret ushtarak rus si përgjegjës për sulmin ndaj Skripal dhe së bijës. Ndërkohë, një i tretë është identifikuar në ditët e fundit dhe dyshohet të ketë luajtur rol në agresionin me gaz nervor./abcnews.al