Anëtari më i ri i grupit, detaje nga arrestimi i Kajmakut me 20 kg kokainë, vëzhgohej prej 8 muajsh

schedule00:01 - 12 Qershor, 2022

schedule 00:01 - 12 Qershor, 2022

Ish-kryebashkiaku i Vorës Agim Kajmaku është arrestuar nga policia italiane pasi është vëzhguar për disa orë nga një njësi e specializuar në luftën ndaj narkotikëve.

Burime për gazetarin e Abc Aldo Kozarja bëjnë me dije se për rreth 60 ditë Kajmaku dhe grupi të cilit i shërbente ishte nën vëzhgim të rreptë 24 orë. Për të ndjekur hap pas hapi çdo lëvizje të tij, policia italiane kishte montuar kamera në disa akse, banesa dhe lagje ku kryheshin bisedat dhe takimet që kishin tematikë aktivitetin e paligjshëm të lëndëve narkotike në shtetin fqinj dhe Europë.

Një burim pranë policisë shqiptare i tha Abc se Kajmaku është arrestuar që në 27 maj me 20 kg drogë. Pas kapjes së tij autoritetet italiane kanë kërkuar informacione te autoritetet shqiptare në lidhje me këtë shtetas i cili ka qenë ndër personat më të rinj që i është bashkuar grupit. Për më shumë se 8 muaj policia italiane kishte rënë në gjurmët e tij, ndërsa nisi ta mbante në vëzhgim derisa u arrestua me 20 kilogramë kokainë.

Agim Kajmaku u shkarkua nga detyra e kryebashkiakut të Vorës që mori në 30 qershor 2019, pasi nuk deklaroi një procedim penal në Greqi. Gjykata e Tiranës kishte caktuar masën arrest me burg për Kajmakun pasi akuzohej për falsifikim të vulave dhe dokumenteve, si dhe për kryerjen e funksionit pasi i kishte përfunduar mandati. 49-vjeçari fitoi zgjedhjet vendore në Vorë, pasi ishte kandidat i vetëm i Partisë Socialiste. Dy javë pasi ishte betuar si kryebashkiak, Partia Demokratike denoncoi Agim Kajmakun se kishte mashtruar me formularin e Dekriminalizimit, duke fshehur identitetin Jorgo Toto, me të cilin ishte ndjekur penalisht në Greqi. Pasi u provuan akuzat, KQZ i hoqi mandatin Kajmakut, por 49-vjeçari pikërisht në atë ditë shkarkoi dy nënkryetarët e bashkisë, që u cilësua si i paligjshëm nga gjykata.

Që prej Nëntorit të 2019, Agim Kajmaku i është fshehur drejtësisë. Ai u arrestua në 2020 në një spital i shtruar pasi vuante nga probleme shëndetësore. Gjykata e Apelit vendosi të ndryshojë masën e sigurisë për ish-numrin një të Bashkisë së Vorës, nga arrest me burg në detyrim paraqitje. Në qershor të 2020, Agim Kajmaku u dorëzua Polici, pas disa muajsh arrati, ndërsa gjykimi ndaj tij po zhvillohet në gjendje të lirë. be.k/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!