“Anëtarësimi i Shqipërisë në BE, destinacion kryesor”/ Niko Peleshi: Objektivi ynë, të marrin 6 deputetë në Korçë

schedule17:55 - 23 Shtator, 2024

schedule 17:55 - 23 Shtator, 2024

Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Niko Peleshi ka zhvilluar një takim në Kolonjë, ndërsa është ndaluar edhe tek zgjedhjet. Peleshi ka theksuar se PS synon që në Korçë të marrë gjashtë deputetë.

Më tej ai theksoi se një tjetër objektiv i rëndësishëm mbetet edhe anëtarësimi i Shqipërisë në BE.

“Partitë e mëdha në zgjedhjet parlamentare kanë gjithmonë synim të fitojnë zgjedhjet.  PS shkon për mandatin e 4 dhe është shumë pranë tij gjithsesi ne jemi mësuar që i marrim me seriozitet punët dhe në kohën e duhur pavarësisht si është kundërshtari përballë, ne shohim punën tonë dhe sfidat e PS janë me të ardhmen dhe objektivin e Shqipërisë jo të PS vetëm, që është anëtarësimi i Shqipërisë në BE në vitin 2030. Një objektiv që 10 vite më parë përdorej si fjalë për ti dhënë lezet deklaratave politike që sot është një realitet që artikulohet edhe nga zyrtarët e lartë të BE. Është një datë që ne e kemi kthyer në plan pune, parlamenti nga ana tjetër ka detyrat e veta në këtë proces, pra synimi ynë është të fitojmë mandatin 4 për të vazhduar pa humbur ritmin, në rrugën drejt destinacionit historik të shqiptarëve që është anëtarësimi në BE në 2030. Ka mundësi që për shkak të rritjes së numrit të votuesve të popullsisë në Tiranë, qarku i Korçës mund të ketë një mandat më pak, ndonëse Korça si bashki dhe qark ishte zona me uljen më të vogël të popullsisë. Objektivi ynë vazhdon të jetë i njëjti, ne do të marrim minimalisht 6 deputetë, me një diferencë prej të paktën 2 deputetësh nga PD, por duke patur parasysh dhe potencialin e ri që i ofrohet politikës me kodin e ri të ndryshuar zgjedhor, që është vota e Diasporës, objektivat dhe mund të rriten sepse ka një potencial të madh në Diasporë. Pra ne mund të kemi votues në Diasporë po aq sa edhe në Shqipëri. Një nga pikat e takimit në çdo asamble të PS në bashkitë e qarkut është organizimi për votën e Diasporës”, tha ai.

Gjithashtu Peleshi nënvizoi se hapja e PS është shumë e rëndësishme, ndërsa shtoi se po krijohen mekanizma si akademia politike, për t’i dhënë mundësi edhe të rinjve.

“Nëse do të jenë 10 deputetë do jenë 3 mandate të mbyllura në qarkun e Korçës, nëse do të jenë 11 deputetë do të jenë 4 mandate të mbyllura. Këtu nuk është çështja e emrave, as e emrit tim, as e ndonjë emri tjetër. Objektivat janë me numra jo me emra, ne duam të mbajmë minimalisht 6 deputetë në qark. Ky sistem nxit garën e shëndetshme brenda partisë dhe maksimizon votën, pra pjesa jashtë listës së mbyllur duhet të vrapojë më shumë, të sjellë më shumë vota. Kjo është demokracia. Ne nuk kemi akoma një formulë të konsoliduar, por është vendosmëria jonë për të shënuar një tjetër hapje edhe më të madhe të PS në këtë proces zgjedhor. Hapja e PS është në adn e saj, çelësi i suksesit të pothuajse 4 mandateve, por edhe më herët. Unë vetë jam një produkt i hapjes në një kohë të caktuar, ne po krijojmë mekanizma siç është akademia politike për të rinjtë apo platforma që inkurajon të rinjtë, pra një korsi më e shkurtër krahasuar me korsinë normale burokratike të kontributeve në parti. Vendimi i gjykatës për deputeten Xhaçka është siç e dini votuar në seancë ndërkohë që pritet, ka hyrë në proces mandati i Z.Sinaj, që kërkon kohën e vet, është duke u shqyrtuar në këshillin e mandateve. Është bërë një seancë e gjysmë, seanca e dytë u ndërpre për shkak të një ngjarje që tronditi publikun, ndarja nga jeta e ish kolegut tonë Gert Bogdani. Do të vazhdojë ky proces derisa të ketë një vendimmarrje nga këshilli i mandateve e më pas të kalojë apo jo në hapat e tjera”, tha ndër të tjera ai.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!