Sondazh

Dështimi i protestës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Anembanë botës me motor/ Në tri vite, Dashnor Balliu ka përshkuar 98 shtete dhe 200 mijë km. Objektivi, 214 shtete

schedule09:39 - 3 Nëntor, 2026

schedule 09:39 - 3 Nëntor, 2026

Nëse Anglia sapo priti Guliverin e saj, Shqipëria e ka ende në rrugëtim. Quhet Dashnor Balliu dhe prej më shumë se tre vitesh po përshkon botën me motor, në një aventurë që synon ta çojë në 214 shtete dhe territore.

98 shtete të përshkuara, mbi 200 mijë kilometra të lëna pas dhe një rrugëtim që duket ende larg përfundimit. Por kjo histori nuk nisi me një motor që kalonte kufijtë e botës. Nisi me një pasion që Dashnori e ushqente prej gati 30 vitesh.

Fillimisht ishte rruga Shqipëri-Greqi, në kohën kur ai punonte në shtetin fqinj dhe rrugën e gjatë e përshkonte me motor, e më pas ishin udhëtimet me shoqëruesin e tij të pandashëm nëpër Evropë. Duke ndjekur aventurat e motoçiklistëve të huaj, lindi ideja për të bërë diçka që pak njerëz do të guxonin ta ndërmerrnin: një udhëtim të vetëm rreth globit.



Më 6 gusht 2023, në orën 18:00, u nis nga Librazhdi. Pa sponsorë, me motorin e tij dhe me një objektiv që kërkon jo vetëm guxim, por edhe një përgatitje të jashtëzakonshme.
Emrin e misionit e zgjodhi vetë: “I vetëm nëpër botë, pa sponsor”.

Dhe mënyra se si e realizon këtë aventurë është po aq e veçantë sa vetë udhëtimi. Nuk zgjedh hotelet luksoze, por netët i kalon në çadrën që mban me vete. Ushqimin e përgatit vetë, ndërsa shpenzimet ditore, sipas rrëfimeve të tij, arrijnë nga 30 deri në 50 euro, por nuk i kanë munguar as ndihmat nga shqiptarët.

As motori nuk është një shoqërues i lehtë. Ai peshon rreth 500 kilogramë dhe në një prej udhëtimeve të tij, në Belgjikë, Dashnori ka treguar se mezi arriti ta mbante nën kontroll pasi i rrëshqiti në rrugë.

Por përtej kilometrave dhe shteteve, ky udhëtim ka edhe një dimension tjetër. Në çdo cep të botës, ai kërkon të takojë shqiptarët që e ndjekin dhe e mbështesin përmes rrjeteve sociale. Në këtë mënyrë, një mision personal bëhet edhe një histori takimesh me bashkatdhetarë larg vendlindjes. Aktualisht, Guliveri shqiptar ndodhet në Brazil. Pas pengesave me vizën për në Peru, ai nuk ka hequr dorë nga objektivi, ndërsa pret të vazhdojë drejt destinacionit të radhës.

Synimi i tij është të përshkojë 214 shtete dhe territore deri në fund të 2027-ës dhe të dokumentojë këtë aventurë për të synuar një vend në Librin e Rekordeve Guinness. Ndryshe nga Karl Bushby, që sapo përmbylli misionin e tij 28-vjeçar, Dashnor Balliu vazhdon të shkruajë historinë e vet, kilometër pas kilometri./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!