ANEKDOTA E DITËS/ “3 milion € nëse e doni”, as Klopp nuk ishte kundër Elis Bakajt te Dortmundi

schedule11:00 - 25 Shkurt, 2021

schedule 11:00 - 25 Shkurt, 2021

3 milion euro, kjo ishte kërkesa e presidentit të Dinamos, Besnik Sulës, për transferimin e Elis Bakajt te Borussia Dortmund. Do ishte ende rekord për Superioren dhe fantazistit sigurisht që i ka mbetur peng që ai transferim nuk u krye.

Shifra e kërkuar sigurisht që është tepër e lartë dhe ndokush mund të qeshë. Gjithsesi e gjitha është e vërtetë, sigurisht duke u bazuar te fjalët e vetë Bakajt. Në prill të vitit 2019, kur luante për Shakhtar Soligorski në Bjellorusi, ai e zbulonte diçka të tillë në një intervistë të dhënë për Tribuna.

 

“Në vitin 2009 Dinamo më bleu nga Partizani për 100 mijë euro. Ishte transferimi i parë brenda kampionatit shqiptar. Luajta shumë ndeshje me Dinamon, isha pjesë e kombëtares dhe një vit më vonë kam pasur shansin për të nënshkruar një kontratë me Borusian e Dortmundit.

Gjithsesi presidenti im, një njeri i çmendur, donte që Dortmundi të paguante 3 milionë euro. Kjo është një histori e vërtetë. Nga Gjermania erdhën njerëz për të më parë dhe për të regjistruar një video për Klop.

Në mediat gjermane dolën lajme që raportonin se Klopp nuk ishte kundër blerjes sime, por presidenti i Dinamos nisi të fliste për 2-3 milionë euro… E kuptoj shumë mirë që nuk do luaja në formacion në Dortmund, do isha rezervë, por gjermanët dëshironin vërtet të më blinin dhe nëse do kisha shkuar në Bundesligë, karriera ime do kishte qenë ndryshe”, rrëfente Bakaj. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!