Tottenham arriti një fitore të rëndësishme mbrëmjen e djeshme në Beograd duke mposhtur Crvena Zvezda me rezultatin e thellë 0-4. Sulmuesi i londinezëve, Heung-min Son, përpos situatës jo të mirë psikologjike që po kalon pas ndërhyrjes ndaj Andre Gomes të dielën, arriti të shënojë dy gola duke ia dedikuar portugezit të Everton-it.
Anësori nga Korea e Jugut la fushën e lojës në lot pas ndërhyrjes të ashpër ndaj Gomesit. Ai i dërgoi një mesazh personal mesfushorit, duke i kërkuar falje dhe duke i uruar shërim të shpejtë. Pas ndeshjes së mbrëmshme në Champions, Son u prononcua për herë të parë për mediat.
“Nuk dëshiroja të festoja kur shënova. Dua të respektoj situatën. I uroj Andresit shërim sa më të shpejtë dhe të kthehet në fushën e lojës sa më shpejt që të jetë e mundur. Kalova një moment të vështirë, i falenderoj të gjithë ata që më qëndruan pranë. Nga kjo që ndodhi kuptova sa me fat që jam. Falënderoj dhe tifozët, të cilët më kanë mbështetur”, mbyll 27-vjeçari.
Ndërkohë, Andre Gomes ka postuar një video në ‘Instagramin’ e tij duke deklaruar: “Kalova një moment të vështirë. Tani ndodhem në shtëpi me familjarët pranë meje. Ju falenderoj të gjithë për mesazhet e sinqerta që më keni dërguar. Do të mundohem të rikthehem sa më shpejt në stërvitje”. /abcnews.al