Pasditen e së shtunës, në “Estadio Municipal”, “katalanasit” e Barcelona do të presin “galaktikët” e Real Madrid, në të famshmen “El Clasico”, sfidë kjo e vlefshme për javën e 11-të të kampionatit spanjoll të futbollit, La Liga.
Para kësaj sfide, tifozët e Real Madrid kanë marrë një lajm të mirë nga trajneri Carlo Ancelotti, i cili nga konferenca për shtyp e kësaj të premteje ka konfirmuar se Jude Bellingham është i gatshëm që të jetë në fushë ndaj Barcelonës, me këtë të fundit që u largua nga fusha në sfidën ndaj portugezëve të Braga, në minutën e 89’, për shkak të një problemi muskular.
“Jude është mirë, i rikuperuar plotësisht dhe do të luajë nesër. Ai bëri një seancë rikuperimi dje. Profesionistët shikojnë çdo ndeshje dhe ai e di mirë se çfarë është ‘El Clasico’. Është një ndeshje e ndjekur nga të gjithë, është një nga përballjet më të mëdha që ekziston”,- u shpreh tekniku italian. /i.m /abcnews.al