Në konferencën për shtyp në kuadër të gjysmë-finales së mbrëmjes së sotme, të UEFA Champions League, midi Real Madrid dhe Manchester City, nuk kishte si të mos ishte i pranishëm dhe tekniku i “galaktikëve” të Madridit, Carlo Ancelotti.
Në fjalën e tij gjatë konferencës, tekniku italian ka “rikthyer” buzëqeshjen te tifozët madrilenë, teksa ka konfirmuar se “arkitekti” kroat i mesfushës, Luka Modric do të jetë në gjendje të luajë kundër “qytetarëve”, që nga minuta e parë e lojës.
“Në qendër të fushës, gjithçka është e qartë Modric do të luajë. Nëse Luca është në rregull, ai luan dhe mund ta përballojë pa problem.
Camavinga ndonjëherë ndryshon pozicionin në varësi të faktit nëse ne kemi kontrollin e topit apo jo. Herë luan më thellë e herë mes rreshtave. Ai nuk është një nga ata mbrojtësit e krahut që lëvizin në krah, ne kemi Vinicius , i cili është shumë i rrezikshëm. Camavinga luan si mbrojtës vetëm kur luajmë pa top.
Aspekti fizik nuk do jetë më i rëndësishëm se të tjerët. Kishim kohë për t’u rikuperuar dhe padyshim që lodhja e Valverdes është krejtësisht e ndryshme nga e imja”,- tha trajneri i Real Madrid.
Kujtojmë se Modric pësoi një lëndim në ijë në përballjen e La Liga kundër Girona më 25 prill. Mesfushori 37-vjeçar i Real Madridit duhej të mungonte deri në 4 javë, por ishte në gjendje të rikuperohej shumë më shpejt, me kroatin që hyri në fushë në finalen e Kupës së Spanjës kundër Osasuna, duke zëvendësuar Toni Kroos në minutën e 82-të. /i.m /abcnews.al