Liverpool zhvilloi një sezon fantastik, dominoi totalisht Premier League dhe mbrëmjen e kaluar u rikthye te titulli kampion pas humbjes së Cityt në fushën e Chelsea. Një sukses i madh për “The Reds”, që nuk fitonin këtë trofe prej vitit 1990.
Carlo Ancelotti, trajneri i “armiqve” të Everton, thur elozhe për homologun e tij, Jurgen Klopp. Të dy kanë një miqësi prej shumë kohësh dhe italiani e vlerëson jashtë mase strategun gjerman të Liverpool në prononcimin e dhënë për Sky Sport.
“Klopp është arkitekti i Liverpool dhe i këtij suksesi. Jo vetëm për fitimin e Premier League, por edhe për gjithçka që ka arritur të bëjë që kur mbërriti në klub pesë vite më parë. Me durim ia ka dalë të ndërtojë një makineri të përsosur.
Jam fqinj me Wijnaldum dhe mbrëmë kishte dalë jashtë për të festuar titullin. E ardhmja? Do të vazhdoj të jem trajner deri në momentin që do të gjej klube që ma japin këtë mundësi. Nuk e di nëse Evertoni do të jetë skuadra e fundit në karrierë, por të më pëlqente shumë të bëja një projekt afatgjatë me këtë klub“, deklaron Ancelotti. /abcnews.al