Konflikti midis Izraelit dhe Palestinës është një nga më të përgjakshmit dhe më të gjatë në botë. Thuajse se të dyja palët pas dekadash tragjedie kanë dështuar që të gjejnë një paqe mes tyre.
Toka për të cilën është luftuar për shekuj me radhë tashmë po përballet me një përplasje të përgjakshme nisur javën e kaluar nga grupi terrorist i Hamasit si edhe me kundërpërgjigjen nga Izraeli duke bombarduar Gazën. Është e vështirë t’i jepet një shpjegim origjinës së këtij konflikti. Sky Neës në analizën e tij pasqyron konfliktet kryesore të 100 viteve të fundit, fokusuar tek Lindja e Mesme dhe përse është kaq e vështirë që të arrihet paqa. Lidhur me këtë ngjarje ka folur një ekspert, por giithashtu janë marrë edhe opinione nga korrespondentë me përvoja të Sky News.
Rrënjet e konflikti dhe një traktat sekret Britani-Francë.
“Është një konflikt i rrënjosur thellë”, shprehet profesor Eugene Rogan, një ekspert i historisë të Lindjes së Mesme në Universitetin e Oksfordit.
Profesor Rogan thotë se pika kryesore këtu është se në vitin 1917 vetë qeveria britanike miratoi idenë e një shtëpie kombëtare hebreje, jo një shteti – në Palestinë me Deklaratën Balfour.
Ai pasoi një traktat sekret të nënshkruar midis Britanisë dhe Francës gjatë Luftës së Parë Botërore, duke përcaktuar sferat e tyre të dakorduara të ndikimit në një ndarje të pasluftës të Perandorisë Osmane. Britanikët janë të rëndësishëm sepse, pas Luftës së Parë Botërore, kontrolli i Palestinës iu dorëzua Britanisë në formën e një ‘mandati’.
“Ata vënë në lëvizje ndryshim demografik,” thotë profesor Rogan.
Mes rivalitetit mbi atë se kush do të pretendonte shtetësinë mbi Palestinën, një revoltë arabe midis 1936 dhe 1939 shpërtheu dhe u shtyp me dhunë nga britanikët.
Pasi komuniteti hebre gjithashtu u rebelua kundër sundimit britanik, mandati për Palestinën iu dorëzua Kombeve të Bashkuara të sapoformuara pas Luftës së Dytë Botërore.
Krijimi i shtetit të Izraelit dhe lufta e vitit 1948
Në vitin 1947 – dy vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe tmerrit të Holokaustit – Asambleja e Përgjithshme e OKB-së votoi për ndarjen e Palestinës në një shtet arab dhe një shtet hebre, kundër kundërshtimeve të konsiderueshme.
“Kjo vuri në lëvizje një luftë civile në Palestinë midis komuniteteve arabe dhe hebreje,” tha profesor Rogan.
Në prag të tërheqjes britanike nga zona, milicitë hebreje dhe arabe u përleshën, duke rezultuar në humbjen e qyteteve arabe palestineze për komunitetin hebre. Në maj 1948, Britania u tërhoq dhe ushtritë e shteteve të ndryshme arabe u përgjigjën duke pushtuar.
Kur armiqësitë në luftën e parë arabo-izraelite përfunduan në janar 1949, shteti i ri i Izraelit zotëronte 78% të territorit.
Bregu Perëndimor, Jerusalemi Lindor dhe Rripi i Gazës mbetën në duart e arabëve.
Lufta Gjashtë Ditore dhe dy grupe marrëveshjesh
Në vitin 1967, Izraeli bëri një sulm parandalues kundër Egjiptit dhe Sirisë, duke nisur Luftën Gjashtë Ditore, nga frika e një sulmi të afërt.
Konflikti i shpejtë bëri që Izraeli të pushtonte jo vetëm pjesën tjetër të mandatit të Palestinës – të gjithë Jerusalemin, Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës, por edhe Lartësitë Golan nga Siria dhe gadishullin Sinai nga Egjipti. Pavarësisht tërheqjes së mëvonshme të forcave izraelite nga Rripi i Gazës dhe një farë shkalle të vetëqeverisjes në Bregun Perëndimor, të dy zonat mbeten të njohura si Territoret e Pushtuara Palestineze edhe sot e kësaj dite.
Në vitin 1973, Egjipti dhe Siria sulmuan pozicionet izraelite përgjatë Kanalit të Suezit dhe Lartësive të Golanit, duke filluar Luftën e Yom Kipurit.
Ndërkohë në vitin 1979 pas negociatave sekrete një vit më parë, Izraeli dhe Egjipti ranë dakord për një traktat paqeje.
Por mes zemërimit ndaj pushtimit dhe asaj që palestinezët ndjenin se ishte represion nga autoritetet izraelite, u shfaqën dy organizata palestineze që do të ndryshonin rajonin; Organizata për Çlirimin e Palestinës (PLO) dhe Hamasi, shkruan Sky News.
Konflikti me Hamasin
Profesor Rogan tha: “Me kthimin e një autoriteti palestinez në Jeriko, më vonë në Ramallah dhe në Rripin e Gazës, ju i shihni këto territore që dalin nga kontrolli izraelit në kontrollin e një autoriteti palestinez.”
Ndërsa në vitin 2005 Izraeli i largua nga Rripi i Gazës të cilin e kishte pushtuar Egjipti në vitin 1967. Hamasi mbizotëroi në zgjedhjet e vitit 2006 në territor dhe vitin e ardhshëm u përfshi në një konflikt të armatosur me Autoritetin Palestinez, duke rezultuar në ndarjen e Rripit të Gazës në thelb.
“Nga viti 2007 deri në ditët e sotme ka qenë një seri konfliktesh midis Izraelit dhe Gazës, me Izraelin që nuk pushton më Gazën, por kontrollon të gjithë kufijtë e saj, përveç atyre me Egjiptin”, shpjegon profesori Rogan.
Egjipti, nga ana tjetër, që atëherë ka vendosur një bllokadë në anën e tij të Rripit të Gazës.
Më 7 tetor 2023, Hamasi filloi një sulm shkatërrues përtej kufirit në Izrael. Si hakmarrje, Izraeli filloi një bombardim intensiv të Rripit të Gazës. Mijëra njerëz janë vrarë që atëherë dhe është e paqartë se cili do të jetë efekti në rajon.
Cilat janë çështjet kryesore të qëndrueshme izraelito-palestineze?
Çështjet e vazhdueshme që ndajnë izraelitët dhe palestinezët përfshijnë: një zgjidhje me dy shtete, vendbanimet izraelite, statusin e Jerusalemit dhe refugjatët.
Zgjidhja me dy shtete do të ishte një marrëveshje për të krijuar një shtet për palestinezët në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës së bashku me Izraelin.
Hamasi është betuar për shkatërrimin e Izraelit, duke njohur kufijtë e vitit 1967, por jo shtetin e Izraelit.
Izraeli ka thënë se një shtet palestinez duhet të çmilitarizohet në mënyrë që të mos kërcënojë Izraelin. Izraeli është kritikuar vazhdimisht nga komuniteti ndërkombëtar për ndërtimin e gjithnjë e më shumë vendbanimeve në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Shumë vende i shohin këto si të paligjshme, por Izraeli e kundërshton këtë. Statusi i Jeruzalemit, një qytet për të cilin është luftuar me shekuj është gjithashtu një pikë e nisjes së konflikteve.
Shumë palestinezë duan që Jeruzalemi Lindor, i cili përfshin vende të shenjta për myslimanët, hebrenjtë dhe të krishterët, të jetë kryeqyteti i shtetit të tyre. Izraeli pretendon të gjithë Jerusalemin si kryeqytetin e tij, megjithëse kjo nuk njihet gjerësisht në skenën botërore. Rreth 5.6 milionë refugjatë palestinezë, kryesisht pasardhës të atyre që ikën në vitin 1948 jetojnë në Jordani, Liban, Siri, Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës.
Rreth gjysma e refugjatëve të regjistruar mbeten pa shtetësi, sipas ministrisë së jashtme palestineze, me shumë që jetojnë në kampe të mbushura me njerëz. Palestinezët prej kohësh kanë kërkuar që refugjatët të lejohen të kthehen, së bashku me miliona pasardhës të tyre. Por Izraeli thotë se çdo zhvendosje e refugjatëve palestinezë duhet të ndodhë jashtë kufijve të tij./abcnews.al/