Analiza/ Efekti i fitores së Geert Wilders në shoqërinë holandeze

schedule07:47 - 26 Nëntor, 2023

schedule 07:47 - 26 Nëntor, 2023

Për dekada me radhë Geert Wilders ka qenë njëri prej personazheve më përçarëse në shoqërinë holandeze. Heroi i së djathtës konservatore, i njohur për ligjërimet e jotolerancës fetare, po bën përpjekje të ndërrojë ambalazhin.

Shoqëria demokratike është shumë e polarizuar se çfarë ndikimi do të ketë në jetën e përgjithshme ngritja e populistit biond.
Në Schilderswijk, një prej zonave me ndasitë më të thella etnike dhe fetare në Holandë, myslimanët holandezë thonë se janë të frikësuar se liritë e tyre fetare mund të tkurren. “Nëna dhe bashkëshortja mbajnë shami”, thotë Sahil Achahboun, sociolog i lindur në Schilderswijk. Tani shqetësohet se edhe lëvizjet e familjarëve të tij mund të kufizohen.

“Wildersi dëshiron që t’i ndalë ata që të mos shkojnë në ndërtesa qeveritare duke mbajtur shami ose të paguajnë taksë për këtë. Kam shumë frikë për ato dhe për fëmijët e mi”, thotë ai.

Wilders thotë se mund të jetë kryeministër i të gjithëve. Askush në këtë lagje nuk e sheh se si një parti me besime antiislame të ngulitura në ADN-në e saj mund t’i përfaqësojë ata.

Achahboun qeshet me këtë ide qesharake: Wilders ka thënë se ne duhet të ndalojmë gjithçka nga myslimanët, të myslimanëve, për myslimanët”.

“Njerëzve u është shpëlarë truri. Shpresoj se një ditë ai do të jetë lider i vërtetë, por në këta 20 vjetët e fundit e kam parë të kundërtën”, thotë ai.

Ndalimi i shkollave islamike

Manifestoja e Geert Wildersit promovon ndalimin e të gjitha shkollave islamike, Kuranit dhe xhamive dhe se do t’ua ndalojë të gjithëve mbajtjen e shamive në hyrjen e ndërtesave qeveritare. Dhjetë minuta ecje në këtë lagje zbulohet një tjetër univers.

Hapësirat e kumarit dhe dritat e Krishtlindjeve janë në kafenenë holandeze, blerësit shikojnë kah ndryshimi dhe po llogarisin koston e ushqimit të tyre. Lagja e Duindorpit është zemra e vendlindjes së Wildersit. Jeta është e ashpër dhe shumë e shtrenjtë, thonë banorët.

Një prej tyre është edhe Janette që po blinte ushqim për darkë. Djemtë nuk kanë para për të blerë shtëpi, ankohet ajo, dhe qiraja është shumë e lartë sa i ka vështirësuar punët.

“Ne u ofrojmë shtëpi dhe përfitime të tjera njerëzve nga tjetërkundi dhe jemi të lumtur që u ndihmojmë, por kemi nevojë që së pari të ndihmojmë veten. Të moshuarit po ngrijnë nëpër shtëpitë e tyre, sepse nuk ua mban xhepi të lëshojnë ngrohjen”, thotë ajo.

Ky është mesazhi që Geert Wilders e ka përçuar në dekadat e fundit, por kostoja e krizës së jetesës është pasqyrim i popullsisë në rritje të të varfërve të rinj që duan dikë që t’ua pranojë pasigurinë e ekzistencës së tyre dhe të gjejnë dikë për të fajësuar.

Janette thotë se është ditë e mirë për demokracinë dhe se “Geerti”, siç i referohet atij, do të vendosë së pari holandezët, të ndalojë paratë për njerëzit e shteteve të tjera kur ne “nuk mund të kujdesemi për njerëzit tanë”.

Duke paketuar qeset e saj plastike në skuter, një tjetër blerëse e quajtur Anje thotë se nuk mendonte se lideri i partisë “Liria” do ta rregullonte komunitetin e saj. Por ajo dukej e kënaqur që ai të paktën do të bënte presion mbi palët e tjera për të bërë diçka për problemet e saj. Një dekadë më parë udhëheqësi populist u shpall fajtor për fyerje të marokenëve.

Në vitin 2009 atij iu ndalua hyrja në Mbretërinë e Bashkuar për shkak të planit të tij për të shfaqur një video që kritikonte Kuranin si “libër fashist”, gjë që e bënte atë një kërcënim për sigurinë kombëtare.

Zbutja e qëndrimeve

Unë kam raportuar për Geert Wilders për më shumë se një dekadë dhe kam qenë dëshmitar i një stili zbutës dhe me më pak të bërtitura. Ai ka zbutur postimet provokuese në rrjetet sociale. Këtë javë ka thënë për BBC-në se “unë jam bërë një person pozitiv”.

Por, siç thekson Leonie de Jonge, profesoreshë e Politikës Evropiane në Universitetin e Groningenit, programi i tij i partisë është gjithçka tjetër veçse i moderuar.

“PVV-ja është parti arketipike populiste radikale e djathtë, e karakterizuar nga nativizmi, autoritarizmi dhe populizmi”, thotë ajo.

Wilders dëshiron të anulojë buxhetin e ndihmës jashtë shtetit, të shkurtojë fondet e BE-së dhe të zvogëlojë numrin e studentëve të huaj që studiojnë në Holandë.

Ai premton se 14-vjeçarët do të trajtohen njësoj si të rriturit në çështjet penale, do të ulë taksat, do të angazhojë 10 mijë policë të tjerë, do të tregojë zero tolerancë për “llumat e rrugës” dhe do të rikthejë personazhin kontrovers Zwarte Piet (Pete i Zi).

Manifesti i tij përfundon me premtimin për qeveri që “do t’i kthejë holandezët në numrin një!”.

Ironizohet fakti se favoritja parazgjedhore për kryeministër mund të ketë qenë çelësi i suksesit elektoral të partisë së tij.

Dilan Yesilgöz, e cila erdhi nga Turqia si fëmijë refugjate dhe tani drejton VVD-në konservatore-liberale, është akuzuar se ka drejtuar votuesit drejt dikujt, politikat e të cilit nuk do të kishin lejuar familjen e saj të hynte në vend.

Ndryshe nga paraardhësi i saj Mark Rutte, ajo ka thënë se do të ishte e hapur për të punuar me Geert Wilders, duke e bërë Partinë e Lirisë ose PVV të duket si partnere e këndshme dhe e besueshme.

Udhëheqësi i Partisë liberale Rob Jetten e përshkroi rritjen e partisë Wilders si “efektin Dilan Yesilgöz”. “Unë nuk ia hapa derën Geert Wildersit”, thotë ajo.

Në vend të kësaj, ajo fajësoi “partitë e majta që refuzuan të shohin çështjet që kemi këtu, me emigracionin, me integrimin, që refuzojnë të punojnë me ne për zgjidhje, ata kanë hapur derën”.

Por sipas Sarah de Lange, profesoreshë e shkencave politike në Universitetin e Amsterdamit, ishte një faktor domethënës: “Ai e bëri më tërheqës për votuesit që të mbështesnin partinë e Wilders, sepse ndikimi në politikën e qeverisë më në fund ishte në dukje”.

Leonie de Jonge e interpretoi këtë si një nga shpjegimet kryesore për ndryshimin e madh.

De Jonge beson se PVV-ja ka “politika problematike” mbi emigracionin dhe votuesit më pas preferojnë “origjinalin” sesa “kopjen”. Në këtë kuptim ajo thotë se partia e Dilan Yesilgöz “ia bëri argatin së djathtës radikale populiste”.

Yesilgöz ishte e para që deklaroi se konservatorët e saj të qendrës së djathtë nuk do t’i bashkoheshin koalicionit të udhëhequr nga Wilders, por ishte e përgatitur të toleronte një koalicion të tillë.

Realizimi i premtimeve

A do të realizohet në të vërtetë ndonjë nga politikat e tij më të djathta ekstreme në çdo qeveri që ai formon? Pjesa më e madhe e asaj që ai dëshiron të bëjë për imigracionin nuk mund të bëhet sipas ligjeve ekzistuese.

Manifesti i tij përfshin planin për t’i dhënë fund lëvizjes së lirë të punës brenda BE-së, megjithëse disa grupe do të kenë të drejtën për viza pune. Wilders e di se ka pak oreks për t’u larguar nga BE, ose “Nexit”, siç e quan ai, por me manifestin e tij premton mbajtjen e referendumit për këtë çështje.

Disa nga propozimet e politikave, si mbyllja e xhamive ose ndalimi i Kuranit, qartazi bien ndesh me parimet e demokracisë liberale, veçanërisht mbrojtjen e të drejtave të pakicave. PVV-ja e tij dëshiron të ndalojë dhënien e azilit për refugjatët, të tërhiqet nga Konventa e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët e vitit 1951 dhe të rivendosë kontrollet kufitare.

Ai mund të marrë faqe nga librat e fundit të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe dhe thjesht të vazhdojë përpara dhe të fajësojë gjyqtarët për bllokimin e politikave të tij. A është ky momenti i Brexitit të Holandës apo i Donald Trumpit? Është shumë e parakohshme për të parashikuar.

Rruga e Geert Wilders drejt pushtetit është e shtruar me të panjohura dhe do të kufizohet nga politika e konsensusit.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!