Analiza e Superligës nga Farruk Sejdini

schedule17:08 - 21 Janar, 2019

schedule 17:08 - 21 Janar, 2019

Partizani mbetet pretendenti kryesor për titullin, por gara në Superligë mund të dëmtohet nga zgjedhjet vendore. Trajneri i njohur, Farruk Sejdini, analizon gjysmën e dytë të sezonit, në intervistën për ABC Neës

Ndryshimet në krahasim me vjeshtën, nuk pritet të jenë të mëdha. Përforcimet dhe fazat përgatitore të dimrit vështirë të ndikojnë në verdiktet e Superligës, mendim ky i njërit prej trajnerëve me më shumë përvojë në Shqipëri, Farruk Sejdinit. Gara për titull mbetet po ajo.

“Skuadrat do të tregojnë atë që treguan në fazën e parë . Një çikë e vështirë që të riorganizohet apo rregullohet krejt ekipi. Lojtarët janë me pikatore. Partizani pavarësisht se nuk bëri ndonjë merkato të spikatur, mendoj se është më probabël për të marrë kampionatin. Kukësi pavarësisht se ka bërë merkato më të mirë, ka dhe eksperiencë, ka një problem shumë të madh se ndeshjet i bën në transfertë”, tha Sejdini.

Debatet më të mëdha kanë qenë për Partizanin, duke theksuar se trajnerit Gega nuk i janë plotësuar kërkesat, deri tani.

“Një sëmundje kronike e kampionatit shqiptar. Dikush tjetër zgjedh lojratin dhe dikush tjetër përfundon kampionatin. Nuk e di arsyen se pse. Ndoshta nuk duan të prishin grupin, por mendoj që ai që duhet të vendosë është trajneri”, u shpreh Sejdini.

Sejdini ka një shqetësim për fazën e dytë të sezonit.

“Sa herë ka zgjedhje gjithmonë kampionati ç’orientohet. Kjo është edhe arsye pse kampionati është bosh. Të gjithë kandidatët për kryetarë bashkie futen në çdo lloj forme se duan të përfitojnë nga votat. Tashmë kjo dihet. Kam më shumë se 30 vjet që e heq në kurriz këtë”, tha Sejdini.

Dy prej ekipeve më në vështirësi në Superligë janë Flamurtari dhe Tirana.

“Flamurtari ka një situatë shumë të keqe. Ti mund t’ia japësh rrogën pas 2 muajsh por mund të humbasësh pikët. Duhet me urgjencë të gjendet një zgjidhje. Tirana ka bërë një merkato shumë kaotike, aq sa më krijohet përshtypja që e ka bërë merkaton në bazë njohje. Në rast se dikush të pëlqen si njeri thirre në dasmë, për ditlindje, bëje mik, por futbolli nuk ka miqësi të tilla. Duhet të shtrëngohet fort se do të jetë për mbijetesë”, u shpreh Sejdini.