Analiza e DW: Luftë për pushtet në Poloni!

schedule15:40 - 11 Janar, 2024

schedule 15:40 - 11 Janar, 2024

Dy ish-ministra polakë përfunduan në burg. Policia i arrestoi në rezidencën zyrtare të presidentit Andrzej Duda. Ai u kishte dhënë atyre mbrojtje- megjithëse ata ishin dënuar me një vendim përfundimtar.

Deri vonë, Mariusz Kaminski dhe Maciej Wasik ishin ndër njerëzit më të fuqishëm në Poloni. Si ministër i Brendshëm në qeverinë nacional-konservatore të Mateusz Morawieckit, Kaminski ishte në krye të policisë dhe shërbimeve sekrete. Zëvendësi i tij Wasik vepronte si krahu i tij i djathtë brenda ministrisë. Që nga ndryshimi i pushtetit në dhjetor, të dy politikanët përfaqësonin partinë e ish-qeverisë Ligj dhe Drejtësi PiS, tani grupi më i madh opozitar në parlament.

Por të martën në mbrëmje, Kaminskin dhe Wasikun i arrestuan në pallatin presidencial në Varshavë nga ish-vartësit e tyre, të cilët kishin ndërruar eprorët një muaj më parë, dhe u dërguan në burg. Ata u vendosën në pranga, raportoi platforma online Onet.

Një gjykatë më parë kishte urdhëruar që dy politikanët të mbaheshin në një qendër paraburgimi. Gjykatësit i dënuan ata në dhjetor 2023 me dy vjet burg secili – për tejkalim të kompetencave të tyre në vitin 2007. Në atë kohë, ata drejtonin agjencinë kundër korrupsionit CBA dhe ishin fajtorë për shpërdorim detyre, sipas gjykatës.

Arrest në pallatin presidencial

“Ky është fundi simbolik i anarkisë së PiS. Nuk ka më lopë të shenjta,” tha deputeti liberal Dariusz Jonski. Disa deputetë të PiS u mblodhën gjatë natës nga e marta në të mërkurë përpara qendrës së paraburgimit në distriktin Grochow. Presidenti i PiS Jaroslaw Kaczynski tha se arrestimi ishte “hakmarrje” dhe një “skandal i pabesueshëm”. Ai përsëriti akuzat e tij kundër qeverisë së re, e cila “drejtohet nga jashtë” dhe se ndjek qëllimin “shkatërrimin e shtetit polak”.

Përpjekja e parë për të zbatuar urdhrin dështoi të martën në mëngjes. Kur policia u shfaq para shtëpive të politikanëve, të kërkuarit ishin tashmë në rrugë për të takuar presidentin polak Andrzej Duda. Kreu i shtetit, i cili vjen nga i njëjti kamp politik me ta dhe nuk e ka fshehur asnjëherë afërsinë e tij me PiS, i kishte ftuar Kaminskin dhe Wasikn në një aktivitet në rezidencën e tij zyrtare. Në mënyrë demonstrative, Duda emëroi dy nga ndihmësit e tyre më të afërt si këshilltarë të tij dhe vlerësoi patriotizmin e tyre. Një foto e postuar në faqen e internetit tregon pjesëmarrësit në humor të mirë.

Mariusz Kaminski
Mariusz KaminskiFotografi: Leszek Szymañski/PAP/picture alliance

Pas takimit, Kaminski dhe Wasiku u takuan me gazetarët në ambientet e pallatit dhe dhanë një deklaratë. Një “diktaturë e errët” po shfaqet në Poloni, tha Kaminski, dhe foli për një “krizë të rëndë shtetërore”. Sipas Wasikut, Polonia po shkon drejt një “shteti totalitar”. “Drejtësia do të triumfojë, e keqja do të humbasë”, bërtitën ata dhe u kthyne në pallatin presidencial. Mbrëmjen e së martës, kur Duda u largua për pak kohë nga rezidenca e tij zyrtare për të marrë pjesë në një takim jashtë banesës, policia ndërhyri dhe i arrestoi dy të dënuarit.

Duda do t’u drejtohet krerëve të shteteve në mbarë botën

“Jam personalisht thellësisht i tronditur”, tha Duda të mërkurën (10.01.2023) në deklaratën e parë. Ai i quajti Kaminskin dhe Wasikun njerëz “të drejtë si kristali” që luftuan kundër korrupsionit. “Nuk do të pushoj derisa ministri Kaminski dhe kolegët e tij të bëhen sërish njerëz të lirë”, siguroi presidenti polak. Përballë protestave të paralajmëruara, ai u bëri thirrje bashkatdhetarëve të qëndrojnë të qetë dhe të demonstrojnë në mënyrë paqësore.

Shefi i kabinetit të tij Grazyna Ignaczak-Bandych kishte njoftuar më parë në X (ish-Twitter) se presidenti do të informonte krerët e shteteve në mbarë botën se dega ekzekutive po shkel ligjin polak dhe Kushtetutën. Vetë ish-ministri i Brendshëm Kaminski ka nisur ndërkohë një grevë urie. Dënimi i tij është një akt hakmarrjeje politike, shkruhet në një deklaratë të lëshuar të mërkurën në Varshavë.

Kryeministri Donald Tusk ka reaguar ndaj përpjekjes së Dudës për t’u dhënë azil të kërkuarve në selinë e tij zyrtare duke përmendur kodin penal. “Kushdo që e ndërlikon apo pengon një procedim penal duke ndihmuar një shkelës të shmangë përgjegjësinë, veçanërisht atë që fsheh autorin (…), dënohet me burgim nga tre muaj deri në pesë vjet”, tha kryeministri. Tusku siguroi se ai nuk donte të ngjallte debat politik, por vetëm ta bënte presidentin të vetëdijshëm për atë ku po përfshihej.

Provokim në vend të ndjekjes së korrupsionit

Por Duda i qëndroi vetes besnik – sipas tij – në këtë çështje. Sepse situata aktuale është pasojë e një historie të gjatë dhe të ndërlikuar juridike. Kaminski dhe Wasiku tashmë ishin dënuar në shkallën e parë në 2009 – në atë kohë tre vjet burgim secili. Por presidenti i fali kolegët e tij të partisë sapo erdhi në pushtet në vitin 2015 – përpara se vendimi të bëhej i formës së prerë. Kështu ai i lejoi ata të zinin poste ministrore në qeverinë e re të PiS të asaj kohe. Në qershor 2022, Gjykata e Lartë e shpalli faljen të paligjshme dhe urdhëroi një rigjykim në shkallë të dytë. Një vendim përfundimtar u shpall më pas në dhjetor 2023.

 Jaroslaw Kaczynski me protestues
Jaroslaw Kaczynski me protestuesFotografi: Jaap Arriens/NurPhoto/picture alliance

Të dënuarit me dy vjet burg humbën edhe mandatet e tyre parlamentare – vendim që ata nuk e pranuan. “Vetëm dhuna fizike mund të më pengojë të marr pjesë në seancën e Sejmit,” tha Kaminski në një intervistë radiofonike të transmetuar të hënën. Për të shmangur incidentet e mundshme në Parlament, kryetari i Sejmit, Szymon Holownia, e shtyu seancën nga kjo e mërkurë për javën e ardhshme.

Protestë e planifikuar para parlamentit

Megjithatë, një rrugëdalje e thjeshtë nga kriza është e qartë: Duda do t’i duhet vetëm të falte Kaminski dhe Wasik edhe një herë, me të drejtë këtë herë, pasi procedura ka përfunduar dhe gjykimi është përfundimtar. Por kreu i shtetit nuk dëshiron ta bëjë këtë, sepse kështu do të pranonte se falja e tij e parë ishte e gabuar.

Shndërrimi gjyqësor i imponuar nga PiS me ndihmën e presidentit praktikisht çoi në pushtet të dyfishtë dhe kaos. Kampi nacional-konservator rreth Kaczynskit njeh vetëm vendime gjyqësore që janë të favorshme për PiS. Gjyqtarët e sapoemëruar si pjesë e reformës nuk pranohen sërish në Bashkimin Evropian.

Para arrestimit të tyre, Kaminski dhe Wasiku u bënë thirrje “të gjithë polakëve të denjë dhe normalë” të marrin pjesë në protestën e së enjtes përpara parlamentit. Protesta e “Polakëve të Lirë” fillimisht ishte menduar të fokusohej tek ndryshimet në mediat publike. Tani e tutje, ndoshta në fokus do të jetë lirimi i dy të arrestuarve.

“Presidenti po i luan të gjitha kartat. Ai po luan lojën më të rrezikshme të jetës së tij. (…) Fraksioni i luftës ka fituar,” komentoi kryeredaktori i së përditshmes Rzeczpospolita të mërkurën. Dhe kolegia e tij Zusanna Dąbrowska i quajti Kaminskin dhe Wasikun “silurët e gjallë” në luftën e opozitës nacional-konservatore kundër qeverisë së qendrës së majtë të Tuskut./DW/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!